Lidhje

Bush përshëndet Veteranët - 2001-11-11


Me rastin e Ditës së Veteranëve, Presidenti Bush u shprehu mirënjohjen të gjithë atyre që kanë luftuar për të mbrojtur vendin dhe deklaroi se do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit. Presidenti Bush ndodhet në Nju Jork, tani që u mbushën dy muaj nga sulmet terroriste të 11 shtatorit. Në një fjalim përpara veteranëve në Manhattan, Presidenti Bush tha se koalicioni kundër terrorizmit, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë luftën e tij, pavarësisht se sa kohë mund të kërkojë ajo.

Sepse ne luftojmë për një gjë, dhe kjo është liria e popullit tonë, liria e popujve kudo, tha ai.

Ai tha se grupi terrorist i Al-Qaidës dhe udhëheqja talebane në Afganistan bënë një gabim të rëndë dhe do të paguajnë një çmim të lartë.

Presidenti Bush tha se vendi u është borxhlli veteranëve, të cilët dolën me guxim në mbrojtje të lirisë. Ai shtoi se në emër të popullit amerikan u shprehte atyre respektin dhe mirënjohjen e thellë për shërbimin e tyre ndaj vendit.

Breza të tërë të luftëtarëve tanë, kanë luftuar jo vetëm për vendin tonë, por kanë mbajtur lart traditat tona të nderuara dhe e kanë përfaqësuar vendin me guxim dhe me nder. Kudo që kanë shkuar ushtarët tanë, tha ai, ata i kanë sjellë krenari popullit dhe shpresë miliona njerëzve të tjerë.

Presidenti Bush do të marrë pjesë sonte në një ceremoni përkujtimore pranë vendit ku ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë. Ai do të ketë gjithashtu takime dypalëshe me presidentët e Afrikës së Jugut, Kolumbisë dhe Argjentinës.

Dje, Presidenti Bush mbajti fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai tha tani ka kaluar koha e shprehjes së ngushëllimeve dhe ka ardhur koha për vepra. Presidenti tha se bota po bashkohet për një luftë të gjatë kundër terrorizmit, duke e parë të ardhmen me besim, me vendosmëri dhe e patrembur.

Ai paralajmëroi ata udhëheqës që janë aleatë të terroristëve se ata janë po aq fajtorë për vrasje dhe po aq përgjegjës para drejtësisë. Presidenti Bush tha se terroristët mbështeten në indiferencën e qeverive që e bëjnë njërin sy të verbër ndaj dhunës, me shpresën se nuk do të preken prej saj.

Nëse kjo dhunë nuk ndalet, tha Presidenti Bush, ajo do të shtohet sepse terroristët janë në kërkim të armëve të shkattërimit në masë. Ai theksoi se terroristët mund të përdorin armë kimike, biologjike dhe bërthamore, sapo të jenë në gjendje për ta bërë këtë.

XS
SM
MD
LG