Lidhje

Zgjedhjet në Kosovë, provë për demokracinë - 2001-11-13


EB: Zoti Braum, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar i kanë parë zgjedhjet e ardhshme në Kosovë si një provë të rendësishme në rugën e gjatë të demokratizimit të Kosovës. Në bazë të zhvillimeve të deritanishme të fushatës zgjedhore, a mendoni se Kosova do ta kalojë këtë provë me sukses?

BD: Kjo është një pyetje me shumë rëndësi. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe në përgjithësi komuniteti ndërkombëtar i shikojnë këto zgjedhje dhe zhvillimet që do të pasojnë si një provë për demokracinë në Kosovë. Është inkurajuese mënyra se si është zhvilluar fushata zgjedhore, dhuna ka qënë minimale, madje mund të thuhet se nuk ka patur asnjë veprim dhune. Duke patur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, kjo dëshmon për pjekurinë politike të shqiptarëve të Kosovës dhe të angazhimit të tyre në procesin demokratik. Zhvillimi i fushatës zgjedhore është një tregues pozitiv për atë që do të pasojë, që do të jetë edhe prova më e madhe. Ne dhe të tjerë do të gjykojmë mbi mënyrën e kryerjes së përgjegjësive. Është me rëndësi të shihet se si do të punojnë zyrtarët që do të vendosen në këto 9 ministri që do të kryesohen nga kosovarët, po ashtu ata që do të zgjidhen në parlamentin prej 120 vendesh, kryeministri dhe presidenti, që i shikojnë këto poste si një mundësi por edhe si sfidë të madhe për demokracinë në Kosovë. EB: Zoti Braum, këto zgjedhje do të çojnë në krijimin e institucioneve vendore. Por duke marrë parasysh faktin se administrata ndërkombëtare prapë do të ketë fjalën e fundit, sa kompetenca konkrete do të kenë këto institucione? A mund të flitet për një vetqeverisje të vërtetë?

DB: Autoriteti i administrimit të Kosovës buron nga rezoluta e 1244 e Këshillit të Sigurimit. Autoriteti përfundimtar i përket përfaqësuesit të posaçëm të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, zoti Hakerup. Një numër fushash të tjera, si për shembull politika e jashtme i janë caktuar UNMIK-ut, për arsye të qarta. Por kosovarët do të kenë mundësi të mëdha që të marrin përsipër funksionet qeveritare, pasi UNMIKu do t’u japë kosovarëve ato funksione, sidomos në postet kryesore, që ata do të tregojnë aftësi për t’i kryer.

EB: Zoti Braum, një nga synimet e politikës amerikane është krijimi i një shoqërie shumë-etnike në Kosovë. A është i arritshëm ky qëllim?

DB: Jam i mendimit se ekzston një mundësi reale për një shoqëri shumë-etnike në Kosovë. Me siguri askush nuk duhet të tregohet naiv dhe të përcaktojë se sa shpejt do të realizohet kjo dhe sa shpejt mund të zgjidhen problemet që kemi përpara. Por mendoj se të gjitha grupet etnike në Kosovë, shqiptarët, serbët e të tjerët, janë gjithnjë e më të vetëdijshme se ekziston një e ardhme shumë-etnike për shoqërinë kosovare. Rezultatet e kohëve të fundit të disa sondazheve tregojnë se ndoshta tani nuk jemi në atë fazë që do të dëshironim të ishim përsa i përket pranimit nga njëri tjetri të komuniteteve etnike, por që ndoshta do ta arrijmë një vit më vonë. Fakti është se po ecet në drejtimin e duhur. Mendoj se populli i Kosovës ka një të ardhme shumë-etnike dhe kjo është rruga në të cilën duhet ecur. Më duket se disa nga plagët e të kaluarës kanë filluar të shërohen.

EB: Zoti Braum, shqiptarët e Kosovës i shikojnë Shtetet e Bashkuara si aleatët e tyre më të ngushtë. Pas sulmeve terroriste, përparësitë e politikës së jashtme amerikane kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Çfarë pasojash do të ketë kjo për praninë amerikane në Kosovë dhe Ballkan?

DB: Ngjarjet e 11 shtatorit kanë qënë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne e kemi përqendruar vemendjen në luftën kundër terrorizmit, dhe kërcënimet që u vijnë Shteteve të Bashkuara nga grupe të tilla si Al-Qaida dhe të tjerë. Kjo çështje ka natyrisht një përparësi shumë të lartë dhe ndoshta përparësinë kryesore. Por kjo nuk është një problem që do të linte mënjanë ato çështje që kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë të rëndësishme për interesat amerikane, për interesat e rajonit dhe për interesat evropiane. Për mendimin tim ne do të vazhdojmë të shikojmë përqendrimin e vemendjes në punën që ne kemi filluar në Kosovë, ku kemi investuar mjaft kohë dhe përpjekje. Zgjedhjet e 17 nëntorit janë një hap i madh përpara në këtë drejtim dhe nuk mungon aspak vullneti që ky proces të shkojë deri në fund. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kushtojnë vemendje Kosovës dhe do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në Kosovë.

XS
SM
MD
LG