Lidhje

Opozita afgane drejt jugut - 2001-11-14


Aleanca Veriore e Afganistanit vazhdon konsolidimin e fitoreve të arritura në fushën e betejës, në rajonet veriore dhe qendrore të vendit, ndërsa forcat talebane vazhdojnë të tërhiqen në selinë e tyre, Kandahar.

Njoftohet se Aleanca ka vënë nën kontroll një provincë qendrore në kufi me Kandaharin, si dhe një tjetër provincë në jug të kryeqytetit Kabul. Gjithashtu njoftohet për tërheqjen e forcave talebane nga Xhalalabadi, duke e lënë këtë qytet lindor nën kontrollin e një prej komandantëve pashtun lokalë. Xhalalabadi, qendër e forcave talebane ku ndodhen një numër kampesh stërvitore të rrjetit terrorist Al-Kaida të Osama Bin Ladenit, është bombarduar në mënyrë të përsëritur nga avionët amerikanë.

Ndërkohë, ish-presidenti afgan Burhanudin Rabbani, thotë se ka në pan të kthehet në Kabul sot. Udhëheqësi politik i Aleancës Veriore u dëbua nga kryeqyteti afgan prej lëvizjes taleban në vitin 1996.

OKB diskuton planet per nje qeveri te re

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet të diskutojë mbi një plan për krijimin e një qeverie të përkohshme afgane, e cila do të zëvëndësonte regjimin taleban. Plani i propozuar nga i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, Lakhdar Brahimi, bën thirrje për krijimin e një qeverie kalimtare shumë etnike me mandat dy vjeçar. Aleanca Veriore anti-talebane e ka mbështetur këtë propozim.

Zoti Brahimi, i cili kohët e fundit zhvilloi bisedime me grupe të ndryshme afgane në Pakistan dhe në Iran, tha se Aleanca Veriore dhe përfaqësues të grupeve të tjera afgane duhet të mblidhen sa më parë që të jetë e mundur për të krijuar një qeveri të përkohshme, e cila do të mbështetej nga një forcë ndërkombëtare. Katari ka deklaruar se është gati të organizojë një takim të të gjitha fraksioneve afgane.

XS
SM
MD
LG