Lidhje

8 punonjësit e ndihmave jashtë rrezikut - 2001-11-15


Presidenti Bush shprehu falenderime që tetë punonjësit e ndihmave, të cilët mbaheshin nga regjimi taleban, janë tani të lirë. Presidenti theksoi se tetë punonjësit u liruan gjatë një operacioni, në të cilin morën pjesë forca ushtarake amerikane dhe grupe joqeveritare brenda Afganistanit. Ai tha se ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë. “Forcat tona ushtarake i shpëtuan tetë punënjësit e ndihmave, të cilët mbaheshin në burg në Afganistan.” Gjatë një konference të shkurtër me gazetarët në fermën e tij në Teksas, presidenti Bush tha se Kryqi i Kuq dhe të tjerë ndihmuan në përgatitjen e terrenit për shpëtimin e punonjësve të burgosur.

Hollësitë e këtij operacioni ende nuk janë bërë të ditura, por Pentagoni thotë se ata u morën nga helikopterë ushtarakë amerikanë në afërsi të qytetit afgan Ghazni dhe u dërguan në Pakistanin fqinj.

Presidenti Bush tha se lirimi i tetë punonjësve dhe trasferimi i tyre në një vend të sigurt përbën fundin e një aspekti të konfliktit në Afganistan, por jo fundin e luftës kundër terrorizmit.

“Ne kërkojmë rrjetin al-Qaida dhe kërkojmë të sigurohemi që Afganistani nuk do të përdoret më si strehë për terroristë dhe veprimtari terroriste.”

Dy amerikanët, dy australianët dhe katër gjermanët u arrestuan në gusht nën akuzat se po predikonin fenë e krishterë. Ata mund të dënoheshin me vdekje. Ndërkohë, nënpresident, Dick Cheney, tha dje se forcat talebane janë vënë në ikje në gjithë Afganistanin. Kurse, kryeministri britanik, Toni Blair, thotë se lëvizja taleban është në panik të plotë.

XS
SM
MD
LG