Lidhje

Ku është bin Ladeni? - 2001-11-18


Sekretari amerikan i Shtetit tha se Osama bin Ladeni mund të jetë ende në Afganistan. Ai shtoi se nuk ka arësye për të besuar se Osama bin Ladeni është larguar nga Afganistani.

Mendoj se ai është ende në Afganistan dhe se e ka gjithmonë e më të vështirë të fshihet ndërkohë që Talebanit po i del nga kontrolli një territor gjithnjë e më i madh, tha sekretari i shtetit.

Një zyrtar i talebanëve është shprehur se bin Ladeni nuk është më mysafir i tyre.

Por gjatë një interviste në kanalin televiziv Fox, zoti Powell tha se nuk ka informacione zbulimi që të tregojnë se bin Ladeni është larguar për në një shtet tjetër.

Nga shumë njoftime del se liria e tij për të manovruar është kufizuar shumë dhe nuk mendoj se ka ndonjë vend në rajon që do të dëshironte t’i jepte atij privilegjin e mysafirit, tha zoti Powell.

Sekretari Powell tha gjithashtu se e gjithë bota e di se Osama bin Ladeni është një person i padëshiruar, një vrasës dhe terrorist.

Lidhur me gjendjen politike në Afganistan, sekretari Powell tha se vendi ka nevojë për një qeveri koalicioni me bazë të gjerë për të shmangur përsëritjen e konflikteve të së kaluarës.

Ai tha se Aleanca Veriore e opozitës, e cila tani kontrollon Kabulin, po mban një qendrim “mjaft të mirë,” dhe ka lënë pjesën më të madhe të forcave të saj jashtë Kabulit, siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara.

Të dërguarit e Kombeve të Bashkuara ndodhen në Kabul në përpjekje për të udhëhequr përpjekjet për krijimin e një qeverie me bazë të gjerë. Ministri i jashtem i Aleancës Abdullah Abdullah u tha gazetarëve në Uzbekistan se opozita është e gatshme të marrë pjesë në bisedime për qeverinë e ardhshme.

XS
SM
MD
LG