Lidhje

Kosovë: vazhdon numërimi - 2001-11-20


Në Kosovë vazhdon numërimi i votave të fundit, ndërkohë që rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të së shtunës tregojnë se përkrahësit e udhëheqësit të moderuar, Ibrahim Rugova kanë fituar.

Organizatorët ndërkombëtarë të zgjedhjeve thonë se 92 për qind e votave të numëruara treguan se Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga zoti Rugova, fitoi më tepër se 46 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, doli e dyta, me 25 për qind të votave, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka fituar rreth 8 për qind. Partia e koalicionit serb mori 11 për qind.

Rezultatet i shpallën në Prishtinë përfaqësuesit e OSBE-së.

Zoti Rugova ka bërë thirrje që të njihet sa më shpejt pavarësia e Kosovës. Por dje, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian nuk e pranuan thirrjen e tij.

Të 15 ministrat e mbledhur në Bruksel, shprehën kënaqësinë për zhvillimin e qetë dhe të rregullt të zgjedhjeve, por minstri i jashtëm belg, Louis Michel, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, u tha gazetarëve se Bashkimi nuk e mbështet idenë e pavarësisë së Kosovës. Edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana theksoi se shqiptarët e Kosovës duhet t’u përmbahen rezolutave të Kombeve të Bashkuara që parashikojnë autonominë brenda Jugosllavisë, por jo pavarësinë.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën zhvillimin me sukses të zgjedhjeve. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker tha se udhëheqësit e zgjedhur duhet të ndërtojnë koalicione, duke u dhënë partive të vogla vend në qeverisje. Ai tha se deputetët e parlamentit duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë nga afër me komunitetin ndërkombëtar.

Sipas vëzhguesve, pritet që Parlamenti 120-vendesh i Kosovës të zgjedhë zotin Rugova presidentin e parë të Kosovës së pasluftës.

XS
SM
MD
LG