Lidhje

Gjenden trupat e gazetarëve - 2001-11-21


Në Afganistanin Lindor u gjetën dhe u identifikuan trupat e katër gazetarëve perëndimorë, një ditë pas sulmit ndaj autokolonës së tyre gjatë rrugës për në Kabul.

Dëshmitarët thonë se të katër gazetarët ishin nxjerrë me forcë nga autokolona që ishte nisur nga Jalalabadi në drejtim të kryeqytetit afgan dhe më pas ishin qëlluar nga persona të armatosur të paidentifikuar. Trupat e viktimave u gjetën dje dhe u identifikuan.

Ata janë australiani Harry Burton, fotografi me origjinë afgane Azizullah Haidari, të dy të agjensisë së lajmeve Reuters, Julio Fuentes i së përditshmes spanjolle El Mundo dhe Maria Grazia Cutuli e gazetës italiane Corriere della Sera.

Nuk dihet ende se kush e ndërmori këtë sulm të papritur në rajonin që është nën kontrollin e forcave anti-talebane. Megjithatë, besohet se në këtë zonë ka ende luftëtarë talebanë dhe arabë, besnikë të Osama bin Ladenit.

XS
SM
MD
LG