Lidhje

Aleanca Veriore përparon - 2001-11-24


Në Afganistan, qindra luftëtarë talebanë iu dorëzuan forcave të Aleancës Veriore që kanë rrethuar qytetin Kunduz në veri.

Luftëtarët talebanë u panë të dilnin sot në grupe të mëdha nga qyteti i rrethuar, të hipur në kamionë dhe në tanke për t’ju dorëzuar ushtarëve të aleancës.

Njoftimet lidhur me praninë e luftëtarëve të huaj midis atyre që dorëzoheshin kanë qenë kontradiktore. Sipas një njoftimi të pakonfirmuar, një zëdhënës i Aleancës Veriore tha se 600 çeçenë, arabë dhe pakistanezë kishin dorëzuar armët.

Ende nuk është e qartë se sa luftëtarë talebanë dhe të huaj ndodhen ende në Kunduz, qyteti i fundit verior që nuk është marrë nga Aleanca Veriore. Sipas disa vlerësimeve, numri i tyre mund të jetë deri në 20 mijë.

Komandantët e Aleancës thonë se po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për marrjen e Kunduzit. Përfaqësuesit e Aleancës thonë se marrëveshja e propozuar do t’u garantonte kalim të sigurt ushtarëve talebanë, ndërsa luftëtarët e huaj do të mbaheshin nëpër kampe deri sa të sqarohen lidhjet e tyre me udhëheqësin e al-Qaidës, Osama bin Ladenin.

XS
SM
MD
LG