Lidhje

Kalendari Historik 22 nëntor - 2001-11-24


Më 22 nëntor 1963, presidenti John Kennedy u qëllua për vdekje në Dallas të shtetit Texas. Gazetari i rrjetit televiziv C-B-S Walter Cronkite transmetoi lajmin për vdekjen e presidentit 46-vjeçar: “Nga Dallasi i Teksasit është marrë lajmi urgjent, me sa duket zyrtar -- presidenti Kennedi vdiq në orën 1 pasdite, sipas orës vendore. Nën-presidenti Lyndon Johnson është larguar nga spitali në Dallas, por nuk e dimë se ku ka shkuar. Mendohet se ai do të bëjë së shpejti betimin dhe do të bëhet presidenti i 36 i Shteteve të Bashkuara,” njoftoi gazetari. Në bazë të raportit të autopsisë të përgatitur më pas, presidenti Kennedy kishte marrë të paktën dy plumba në kokë. Lajmi për vdekjen e tij tronditi vendin dhe mbarë botën. Atë ditë, policia në Dallas arrestoi Lee Harvey Oswald lidhur me vrasjen e një polici. Një komision hetues arriti më pas në përfundimin se zoti Oswald ishte autori i vetëm i sulmit ndaj presidentit. Lee Harvey Oswald nuk u gjykua kurrë për këto akuza. Dy ditë pas arrestimit, ai u qëllua për vdekje në katin përdhes të rajonit të policisë në Dallas, ndërsa po dërgohej në një vend më të sigurt. Vrarësi i zotit Oswald, administratori i një klubi nate i quajtur Jack Ruby u gjykua, u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje. Por dënimi nuk u zbatua pasi ai vdiq në burg nga kanceri në pritje të ekzekutimit. Më 22 nëntor 1899, lindi në Bloomington të Indianës kompozitori, muzikanti dhe aktori Hoagy Carmichael. Ai i binte pianos, pikturonte dhe këndonte gjatë viteve të studimeve të larta për drejtësi. Pasi punoi për pak kohë si jurist, Carmichael iu përkushtua karrierës muzikore. Ai u bë drejtuesi i një grupi muzikor. Por ai u shqua më së shumti si kompozitor dhe autor tekstesh, shpesh herë në bashkëpunim me artistë të tjerë. Ndër këngët e zotit Carmichael përfshihen “Stardust,” “Georgia on my Mind,” “Lazy River,” “Memphis in June,” dhe “Two sleepy people.” Së bashku me Johnny Mercer ai shkroi këngën “In the cool, cool, cool of the Evening,” e cila ishte ndër siglat e filmit “Here comes the Groom” dhe fitoi një çmim Oscar. Në vitet 1940 dhe 1950, Hoagy Carmichael mori pjesë në shumë filma, ku luante personazhe të ngjashme me veten. Hoagy Carmichael vdiq në Palm Springs të Kalifornisë në vitin 1981. Ai ishte 82 vjeç.

XS
SM
MD
LG