Lidhje

Aksident ajror - 2001-11-25


Në bazë të parashikimeve të policisë zvicerane, mendohet se 25 vetë kanë vdekur nga rrëzimi i një avioni të linjës ajrore Crossair mbrëm[ në afërsi të Zyrihut.

Policia e qytetit Zyrih ka konfirmuar vdekjen e 10 vetëve, por nuk ka qenë në gjendje të gjejë 14 persona të tjerë, që ishin në bord të avionit.

Nëntë persona u plagosën në këtë aksident dhe po mjekohen në spital.

Ekipet e shpëtimit kontrolluan për shenja jete pyjet përreth gjatë gjithë natës së ftohtë deri në agim dhe thonë se nuk kanë më shpresë të gjejnë persona të tjerë që kanë shpëtuar gjallë.

Avioni i linjës Crossair u përplas me një nga instrumentet orientuese në afëri të fshatit Bassersdorf. Policia thotë se nuk e kanë të qartë shkakun e aksidentit.

Megjithatë, zëdhënësi i policisë së Zyrihut, Marcel Strabal tha se kanë gjetur kutitë e zeza të avionit, dhe po kontrollojnë regjistrimet në to për të zbuluar shkaqet e rrëzimit.

Autoritetet e kanë mohuar mundësinë e një akti terrorist si shkak i aksidentit. Ata thonë se aksidenti ndodhi në kushte të këqija atmosferike, në mot me shi dhe borë.

Avioni kishte 28 pasagjerë dhe pesë anëtarë ekuipazhi në bord. Ai ishte nisur nga Berlini.

XS
SM
MD
LG