Lidhje

Klonohet embrioni njerëzor - 2001-11-25


Një kompani bioteknologjike njoftoi sot se ka klonuar një embrion njerëzor, për të cilën shkencëtarët thonë se përbën një sukses drejt krijimit artificial të njeriut.

Pas shumë vete kërkimesh, një kompani në shtetin Massachusetts e quajtur Advanced Cell Technology, njoftoi se ka klonuar një qënie njerëzore. Studimi përshkruhet më hollësisht në Revistën e Mjeksisë Rigjeneruese si dhe në revistën e njohur US News and World Report. Michael West është president i kompanisë Advanced Cell Technology.

Nga pikpamja biologjike dhe shkencore, ato që po krijojmë ne nuk përbën një individ. Ato janë vetëm jetë në formë embrionesh, por jo jetë njerëzore, thotë presidenti i kompanisë.

Zoti West, studiues në fushën e mjeksisë, i bëri komentet e tij në programin televiziv Meet the Press. Ai theksoi se objektivi i kompanisë së tij nuk është klonimi i njeriut por krijimi i terapive që mund të shpëtojnë jetë njerëzish nga sëmundje të tilla si parkinsoni apo diabeti.

Ëndrra jonë është që një ditë, ne të mund të marrin qelizat e një pacienti, qelizat e lëkurës së tij dhe tu shtojmë atyre çdo gjë që u duhet për kurimin e sëmundjeve, thotë West.

I pyetur se kur do të realizohet kjo, zoti West tha se kjo do të varet kryesisht nga Kongresi amerikan, pra nëse kongresi do ta lejojë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj teknologjie. Dhe, nëse e lejon, gjithë çështja do të jetë se sa njerëz do të mund të merren me kërkime të këtij lloji.

Ky hap i rëndësishëm shkencor u prit menjëherë me kritika nga organizatat që janë kundër klonimit të njeriut. Kongresi ka kohë që po debaton mbi një projekt-ligj, i cili ndalon çdo lloj procesi që ka të bëjë me klonimin e njeriut. Ligjet e tanishme ndalojnë në fakt përdorimin e parave të taksapaguesve për klonimin njerëzor. Senatori republikan nga Arizona, Richard Shelby, është kundër klonimit të njeriut, por mendon se brenda pak vitesh klonimi njerëzor do të bëhet, nëse jo në Amerikë, diku tjetër.

Unë mendoj se ai do të bëhet diku. Ndoshta jashtë Shteteve të Bashkuara nëse këtu ndalohet. Sepse shkenca nuk mund ta ndalë përparimin e saj, në këtë apo atë mënyrë, jemi apo nuk jemi ne dakord, tha senatori.

Shkencëtarët pohojnë se tani që është bërë klonimi i embrionit njerëzor, shkencërisht për klonimin e njeriut, do të duheshin ndoshta vetëm nëntë muaj nëse ky embrion futet në trupin e nënës.

XS
SM
MD
LG