Lidhje

Aleanca Veriore thotë se ka marrë Kunduzin - 2001-11-26


Në Afganistan, sipas Aleancës së Veriut, qindra luftëtarë të huaj talebanë janë vrarë në një revoltë burgu në qytetin Mazar-i-Sharif. Ndërkohë Aleanca e Veriut pretendon se ka marrë nën kontroll qytetin e Kunduzit, bastionin e fundit taleban në veri të vendit.

Për të vdekurit thuhet se humbën jetën në Mazar-i-Sharif gjatë një kryengritjeje të talebanëve të huaj të zënë robër. Zyrtarë të Aleancës së veriut thonë se 300 pakistanezë, çeçenë dhe arabë arritën të shtinin në dorë armë në përpjekje për t’u arratisur nga fortesa ku po mbaheshin dje. Për të shtypur revoltën, u përdor edhe fuqia ajrore ushtarake amerikane dhe Aleanca e Veriut bën të ditur se gati të gjithë të burgosurit janë vrarë. Ka njoftime gjithashtu për një viktimë nga radhët e forcave amerikane, por nuk është e qartë nëse fjala është për një ushtarak apo oficer të shërbimeve të fshehta. Ndërkohë, Aleanca e Veriut njofton se ka marrë përfundimisht Kunduzin. Kjo është bërë e mundur kryesisht nga dorëzimi i mijëra luftëtarëve talebanë, shumica e tyre afganë. Megjithatë, ende besohet se ka skuta rezistence të luftëtarëve të huaj talebanë në qytet. Pas rënies së Kunduzit, talebanët vazhdojnë të mbajnë nën kontroll të rreptë vetëm Kandaharin në jug të vendit, ku disa qindra marinsa amerikanë janë dërguar sot në orët e para përmes ajrit, gjë që përbën operacionin më të madh të vendosjes së forcave tokësore amerikane në këtë luftë.

Ndërkaq, delegatë nga frakcione të ndryshme afgane mblidhen sot në Bon të Gjermanisë për një konferencë të organizuar nga Kombet e Bashkuara që synon formimin e një qeverie të përkohshme pas talebane. Konferenca i fillon punimet zyrtarisht nesër, megjithëse disa përfaqësues kanë zhvilluar bisedime edhe më parë. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara po kanë bërë thirrje udhëheqësve afganë për formimin sa më parë të një qeverie kalimtare. I dërguari i OKB-së në Afganistan, Lakhdar Brahim kishte propozuar formimin e një Këshilli Kombëtar, i cili do të përgatiste terrenin për një qeveri të përkohshme. Por Zoti Brahimi tani thotë se zhvillimet e shpejta në terren në Afganistan kërkojnë krijimin sa më parë që të jetë e mundur të një administrate me bazë të gjerë në Afganistan.

OMAR DHE BIN LADEN DIKU PRANE KANDAHARIT

Ministri i jashtëm i Aleancës së Veriut, Abdullah Abdullah, thotë se ka informacione që udhëheqësi taleban, mullah Mohammad Omar, dhe udhëheqësi i rrjetit terrorist al-Qaida, Osama bin Laden, ndodhen bashkë diku pranë Kandaharit. Zoti Abdullah u tha sot gazetarëve në Kabul se beson që të dy të sipërpërmendurit janë të bllokuar në këtë zonë dhe nuk kanë liri veprimi. Ai tha gjithashtu se Aleanca nuk ka plane për të dërguar trupa në ndihmë të luftëtarëve të tjerë anti-talebanë në rrethinat jugore të Kandaharit, por tha se atje janë dërguar disa komandantë për të ndihmuar në përmbysjen e talebanëve.

XS
SM
MD
LG