Lidhje

Forca amerikane zbarkojnë - 2001-12-04


Njoftohet se forcat speciale amerikane kanë zbarkuar në qytetin Jalalabad të Afganistanit lindor, në kërkim të zonës ku mendohet se fshihet Osama bin Ladeni.

Sipas agjencisë Shtypi Islamik Afgan me qendër në Pakistan, rreth 20 komando amerikane arritën me helikopter të dielën në Jalalabad. Komandan Qendrore Ushtarake amerikane nuk pranoi të komentonte mbi këto njoftime, duke përmendur kufizimet e vëna për deklarata që lidhen me operacionet në zhvillim e sipër.

Aeroplanët amerikanë bombarduan komplekse shpellash dhe tunelesh përreth Tora-Borës, një vendstrehim malor në jug të Jalalabadit, ku sipas zyrtarëve afganë mund të fshihet zoti bin Laden.

Pentagoni i hodhi poshtë zërat se bombardimet amerikane në këtë zonë kanë rrafshuar fshatra dhe kanë vrarë dhjetra civilë. Banorët thonë se gjatë fundjavës, sulmet ajrore kanë lënë të vrarë rreth 100 vetë. Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë, bombat po gadasin objektivat e planifikuar dhe se po bëhet ç’është e mundur për të evituar viktimat midis civilëve.

Njoftimet nga rajoni thonë se po bëhen përpjekje për të komunikuar me bin Ladenin. Agjencia e lajmeve Associated Press citon një zyrtar lokal me emrin Hazrat Ali, i cili thotë se ka marrë një mesazh nga udhëheqësi i rrjetit terrorist al-Qaida përmes dy kryepleqve afganë. Sipas tij, kryepleqtë i kishin thënë se zoti bin Laden synon të luftojë vetëm kundër trupave të huaja. Megjithatë, zyrtari afgan tha se nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e kësaj deklarate.

Ndërkohë, forcat anti-talebane thonë se u përpoqën dje të marrin aeroportin e qytetit Kandahar, por talebanët ende kontrollojnë të paktën një pjesë të tij.

XS
SM
MD
LG