Lidhje

Kandahari i rrethuar - 2001-12-05


Kandahari është rrethuar nga pjesëtarë të fiseve antitalebane Pashtunë. Objektiva ushtarake brenda qytetit janë duke u bombarduar nga aeroplanë ushtarakë amerikanë. Kandahari, i vendosur në pjesën jugore të Afganistanit është vendlindja e Talebanëve dhe bastioni i tyre i fundit. Rënia e qytetit është një çështje kohe.

Marinsat amerikanë kanë tani një bazë të avancuar operacionesh pak më shumë se 100 kilometra larg Kandaharit. Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se ky pozicion bën të mundu zgjerimin e operacioneve amerikane dhe të fiseve Pashtune, që po ngrihen kundër Talebanëve dhe Al-Qaidës, duke i vënë nën trysni shumë të madhe Talebanët.

Sipas njoftimeve, deri tani luftimet kanë qenë të ashpëra. Me sa duket Talebanët janë duke dërguar përforcime atje dhe udhëheqësit Talebanë kanë thënë se do të luftojnë deri në vdekje. Zoti Powell nuk bëri ndonjë parashikim se kur do të mbarojë lufta. Por ai tha se është e pashmangshme tani që Talebanët do të përmbysen në të gjithë vendin. Si kudo gjetkë në Afganistan, edhe në Kandahar ka njoftime të ketë shumë të huaj, kryesisht arabë, por edhe pakistanezë, disa kinezë dhe disa çeçenë. Ka njoftime që në disa raste këta luftëtarë të huaj kanë vrarë Talebanë afganë që donin të dorëzoheshin, ose të dezertonin.

Një nga arsyet që Kandahari është kaq i rëndësishëm është se udhëheqësi Taleban, Mullah Mohammed Omar mund të jetë fshehur atje. Sipas Sekretari amerikan të Shtetit, Colin Powell, Omari është një person që duhet nxjerrë para organeve të drejtësisë. Zoti Powell nuk u kushtoi rëndësi sugjerimeve se Mullah Omari mund të bjerë në ujdi në njëfarë mënyre me ndonjë nga udhëheqësit brenda Afganistanit, që do ta pranonte atë ose do ta lejonte të ikte nga vendi. Shtetet e Bashkuara, tha zoti Powell, nuk janë të interesuara në këto lloje marrëveshjesh.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, duke nënvizuar këtë pikë tha se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë vazhdimisht me udhëheqësit e opozitës, në mënyrë që ata ta kuptojnë se sa të vendosur jemi ne që udhëheqës të lartë Talebanë dhe të Al-Qaidës të mos lirohen dhe as të huajt të mos lirohen, që pastaj të shkojnë e të destabilizojnë ndonjë vend tjetër.

XS
SM
MD
LG