Lidhje

Kosova diskuton krijimin e qeverisë së re - 2001-12-05


Tetë parti politike parlamentare të shqiptarëve dhe të pakicave kombëtare joserbe kanë diskutuar sot në Prishtinë krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit.

Takimi i sotëm (5 dhjetor)i thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës ku nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, kishte për qëllim siç thuhet koordinimin e punëve me qëllim të funksionimit sa më të mirë të parlamentit dhe institucioneve tjera të Kosovës. Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi tha se të gjitha partitë pjesmarrëse në takim kanë arritur në disa përfundime të përbashkëta. “Subjektet pjesmarrëse u dakorduan që të arrihet një marrëveshje formale parprake ndërmjet tri subjekteve politike shqiptare për ndërtimin e institucioneve të qeverisjes së Kosovës me integrimin e mekanizmave te tjerë politik joshqiptarë. Në këtë pikë ka rezerva nga Lëvizja Popullore dhe Lëvoizja Kombëtare për Clirimin e Kosovës”.

Zoti Thaci tha se pjesmarrësit e takimit kanë kërkuar që një komision i posaqëm të merret me hartimin e rregullores së punës së parlamentit dhe që të vazhdojnë takimet e tilla ku do të diskutohej koordinimi i punëve të parlamentit dhe institucioneve tjera të Kosovës. Ai sërish shprehu angazhimin e partisë së tij për një bashqeverisje në shkallë të gjerë. Një qëndrim të tillë ka mbrojtur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. “Përkrahim një bashkqeverisje në mes të subjekteve politike shqiptare dhe subjekteve tjera që përfaqësohen dhe do të anagzhohemi që të arrijmë një marrëveshje të tillë dhe ky takim ishte një ndihmesë në këtë drejtim”…

Takimi i sotëm u parapriu bisedimeve të mundshme të paralajëmruara për nesër ndërmjet kryetarit të LDK-së Ibrahim Rugova dhe kryetarit të PDK-së Hashim Thaci. Ndonëse asnjëra nga këto dy parti nuk ka komentuar nëse ky takim do të mbahet përfundimisht, besohet se ai do të shënonte hapin vendimtar në përpjekjet për krijimin e një qeverie të koalicionit të gjerë.

Numri i votave të fituara në zgjedhjet e 17 nëntorit nuk i mundëson asnjërës nga partitë politike që të qeverisë e vetme, ndersa edhe autoritetet ndërkombëatre duken shumë të interesuara në shpërndarjen e funksioneve politike. Në këtë kuadër këtu vlerësohen edhe takimet e shpeshtuara të drejtuesve politik vendorë me përfaqësuesit diplomatik të vendeve që kanë zyrat e tyre në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG