Lidhje

Dezertimet e Talebanëve - 2001-12-07


Deri kohët e fundit, Mullahu Amirjan Selabe komandonte 30 luftëtarë talebanë në Afganistan. Tani ai është arratisur në Pakistan. Ai i tha një gazetari se donte të ndryshonte si njeri, të mësonte anglisht dhe të studionte për kompjutera. Me fjalë të tjera, ai kërkonte të kishte jetën e tij.

Vendimi i tij nuk ishte i pazakontë. Ekspertët ushtarakë vlerësojnë se Talebani kishte më shumë se 20 mijë luftëtarë. Përpjekjet për të bindur talebanët që të dezertonin ishte po aq e rëndësishme për koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara sa edhe shkatërrimi i infrastrukturës dhe i pajisjeve të tyre ushtarake. Fushata masive me fletë volante arriti të bindë një pjesë të dezertonte. Të tjerët mësuan rreth saj me anë të radios.

Në muajin tetor, Ministri i Jashtëm i Aleancës Veriore, Abdullah Abdullah, tha se ”lufta zhvillohet kundër forcave që janë kundër popullit të Afganistanit dhe se tani bota ka vendosur të luftojë kundër tyre. Kështu, tha zoti Abdullah, ne nuk po luftojmë vetëm kundër armiqve tanë por edhe kundër armiqve të njerëzimit në tërësi.

Deri tani, mijëra talebanë kanë hequr dorë nga lufta kundër Aleancës Veriore, kundër fiseve pashtune dhe kundër koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Ata e dinë se pjesa më e madhe e botës e ka të qartë që talebanëve dhe aleatëve të tyre terroristë të al-Qaidës u ka ardhur fundi.

Dezertimet në radhët e Talebanit janë bërë diçka e zakonshme sepse shumë prej luftëtarëve të tyre kanë qenë të lëkundur qysh në fillim. Sipas njoftimeve, atyre u thuhej se ose duhej të luftonin ose do të përfundonin në burg. Kjo nuk është rruga e duhur për ta motivuar ushtrinë.

Kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara filloi të bombardojë pozicionet talebane si kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, talebanët e thjeshtë filluan të shohin të vërtetën. Ata filluan ta kuptojnë se ditët e talebanit dhe të grupit terrorist al-Qaida ishin të numëruara.

Shtetet e Bashkuara e respektojnë popullin e Afganistanit. Por regjimi taleban e mbante të shtypur popullin e tij dhe kërcënonte njerëzit kudo duke strehuar dhe mbështetur terroristët. Këtij kërcënimi tani po i vjen fundi ndërkohë që ish përkrahës të Talebanit si Mullah Amirjan Selabe po e kuptojnë se e ardhmja e tyre është diku tjetër.

XS
SM
MD
LG