Lidhje

Cheney: prova të reja - 2001-12-09


Nënpresidenti amerikan, Dick Cheney, thotë se një video-kasetë e Osama bin Ladenit e bën të qartë se ai ka qenë në prapaskenë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë televizive, zoti Cheney tha se ka parë pjesë të kësaj video-kasete dhe se ajo është një provë tjetër që vërteton përgjegjësinë e Osama bin Ladenit për sulmet.

Nënpresidenti tha se udhëheqësi i al-Qaidës tregon se ka patur njohuri të hollësishme për sulmet para se ato të kryheshin. Zoti Cheney tha se nuk i takon atij të vendosë nëse kjo videokasetë duhet të bëhet publike apo jo.

Për ekzistencën e kësaj video-kasete njoftonte gazeta Washington Post në numrin e saj të sotëm. Sipas gazetës, videokaseta u gjet në një shtëpi private të Jalalabadit në Afganistanin Lindor.

Gazeta citonte zyrtarë të qeverisë amerikane, sipas të cilëve video-kaseta paraqet Osama bin Ladenin tek përshkruan dëmin në Qendrën Botërore të Tregëtisë në një mënyrë që flet për njohurinë e tij mbi planifikimin e sulmeve.

Në videokasetë ai thotë se kishte menduar se do të rrëzohej vetëm pjesa e sipërme e kullave binjake deri në pikën ku ishin përplasur avionët e rrëmbyer, dhe jo krejt ndërtesat.

XS
SM
MD
LG