Lidhje

Talebani gjymtoi kulturën afgane - 2001-12-11


Ndërkohë që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara vazhdon luftën kundër terrorizmit, trashëgimia talebane e terrorit, intolerancës dhe shkatërrimit po zbulohet në sytë e gjithë botës.

Pas marrjes së Kabulit në vitin 1996, talebanët imponuan një variant të skajshëm të islamit. Ata strehuan rrjetin terrorist Al-Qaida të Osama bin Ladenit dhe kryen shkelje masive të të drejtave të njeriut kundër popullit afgan, sidomos ndaj grave dhe vajzave. Talebanët gjithashtu bënë ç’ishte e mundur për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të Afganistanit.

Përmasat e luftës kulturore të talebanëve ishin të jashtëzakonshme. U plaçkitën objekte të rëndësishme arkeologjike, si pallate dhe fortesa të lashta. U grabitën muzeume. Shprehja e pikpamjeve kulturore u vu nën kontroll të rreptë. Talebanët nxorrën një vendim ku thuhej se të gjitha imazhet e krijesave të gjalla janë jo-islamike dhe duhen shkatërruar. Të armatosur me vare dhe sopata, talebanët shkonin nga objekti në objekt duke shkatërruar sistematikisht mijra skulptura, gdhëndje dhe artikuj poçerie të antikitetit.

Pastaj, talebanët iu kthyen dy statujave gjigande të Budës, të cilat kishin një bukuri mahnitëse. Statujat ishin gdhendur një shpat mali më shumë se 1 mijë e 500 vjet më parë në Luginën Bamiyan pranë rrugës së lashtë të mëdafshit që lidhte Evropën me Azinë Qendrore. Njëra prej statujave ishte rreth 30 metra e lartë dhe i përkiste shekullit të tretë. Tjetra ishte e shekullit të pestë ose të gjashtë dhe kishte një lartësi prej mëse 50 metrash - statuja më e lartë e Budës në botë. Talebanët i shkatërruan që të dyja me dinamit.

Por tani, talebanët dhe Al-Qaida terroriste po shkatërrohen vetë dhe populli i shumëvuajtur afgan mund të fillojë të marrë në duart e tij trashëgiminë e vet kulturore. Shkrimtarët dhe artistët afganë tani mund të fillojnë përsëri punën. Muzeumet mund të rindërtohen dhe të pasurohen përsëri me objekte që ishin fshehur për të mos rënë në duart e talebanëve. Po flitet madje për rindërtimin e njërës prej statujave të Budës, asaj më të lartës. Instituti dhe Muzeumi për Afganistanin në Zvicër ka njoftuar se do të fillojë një program për rindërtimin e statujës duke përdorur teknologji moderne.

Çlirimi i Afganistanit nga murtaja talebane do t’i japë popullit të Afganistanit shpresa dhe shanse të reja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për ta ndihmuar atë. Siç është shprehur presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara po punojnë ”për të krijuar një jetë më të mirë për popullin e Afganistanit dhe për të gjithë popujt e botës islamike.”

XS
SM
MD
LG