Lidhje

Nano kundërshton kandidaturat e reja - 2001-12-11


Kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano kërcënoi sot me bllokimin e mundshëm në parlament të miratimit të katër ministrave të rinj të zgjedhur nga kryeministri Ilir Meta. Zoti Nano ka përsëritur edhe sot në një takim të socialistëve në Durrës kundërshtimin e tij për ndryshimet në qeveri duke i quajtur ato të mangëta. Ndërsa kryeministri Ilir Meta pritet megjithatë t’i çojë presidentit te Republikës propozimet e kater ministrave të rinj.

Çdo ditë madje tani dhe çdo orë që kalon vetëm sa e thellon përçarje në gjirin e Partisë Socialiste. Të flasësh në këto momente për kompromis është më tepër utopi. Kryetari i Partisë Socialiste i është rikthyer toneve të ashpra të javëve të shkuara duke kundërshtuar emërimet e reja në qeveri, ndërsa kryeministri Meta nuk ka lëvizur nga propozimet e bëra prej tij. Sipas asaj që deklaroi mbrëmë, kryeministri Meta duhet t’i dërgojë sot emrat e rinj të ministrave pranë Presidentit të Republikës. Por kryetari i partisë Fatos Nano bëri po sot nga Durrësi paralajmërimin tjetër kërcënues: mundësinë e bllokimit të miratimit të ministrave të rinj në parlament. Një kërcënim që tregon se Partia Socialiste në pushtet po shkon drejt një ndarjeje zyrtare.

Zoti Nano i ka konsideruar propozimet e bëra mbrëmë në kryesi nga kreu i qeverisë si një zgjidhje të mangët që nuk e shmang krizën. Zoti Nano pohoi se marrëdheniet mes tij dhe kryeministrit nuk kanë reflektuar asnjë ndryshim. Kryetari i partisë ka propozuar si zgjidhje një ristrukturim të qeverisë, që nuk duhet të mjaftohet vetëm me zëvendësimin e ministrave të larguar. Ai ka kërkuar edhe largimin e Ministres së Jashtme Arta Dade dhe ministrit të Shtetit për korrupsionin Ndre Legisi.

Zoti Nano tha mbrëmë se kryeministri duhet të përfshinte në qeveri përfaqësues të grupit që mbeshtesin kryetarin e partisë. Kërkesat e kryetarit nuk janë mbështetur nga shumica e anëtarëve të kryesisë, por zoti Nano deklaroi mbrëmë se ai do të vazhdojë të disktojë këto cështje në analizat edhe në rrethe. Një deklaratë e cila u vërtetua që sot, kur nga Durrësi kryetari socialist foli me tone mjaft të ashpra duke polemizuar në sallë e duke iu rikthyer akuzave për lidhje dhe raporte abuzive te anëtarëve të qeverisë.

Situata në partinë socialiste është më e rënda në dhjetë vitet e fundit. Mbledhja e fundit e KPD tregoi se mosmarrëveshjet dhe përplasjet janë tejet të thella dhe të përziera kryesisht me interesa ekonomiko financiare.

XS
SM
MD
LG