Lidhje

Powell: bin Laden do të kapet - 2001-12-16


Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell tha se në Afganistan, grupi terrorist al-Qaida po shkatërrohet. Por ai shtoi se vend ndodhja e udhëheqësit të këtij grupi, Osama bin Ladenit mbetet e paqartë.

Sekretari i Shtetit tha se ka besim që Osama bin Ladeni do të kapet.

Ne do ta kapim Bil Ladenin, në mos sot, nesër, pas një viti ose pas dy vjetësh. Presidenti e ka bërë të qartë se ne nuk do të ndalemi deri sa ai të vihet para drejtësisë ose deri sa drejtësia të vihet para tij, tha sekretari Powell.

Në një intervistë për programin televiziv ”Fox News Sunday”, zoti Powell theksoi se misioni në Afganistan kurrë nuk ka qenë konceptuar si goditje ndaj një njeriu të vetëm por ndaj një rrjeti terroristësh.

Al-Qaida po shkatërrohet në Afganistan. Tani, na duhet ta shkatërrojmë atë kudo ku ajo ekziston në botë,” tha sekretari amerikan i shtetit.

Ai tha se çdo vend në të cilin ka një celulë të Al-Qaidës, duhet ta shikojë atë si kërcënim.

KU NDODHET BIN LADENI?

Një komandant i lartë i aleancës afgane thotë se Osama bin Ladeni nuk është më në rajonin Tora Bora në Afaganistanin lindor.

Komandanti afgan Haji Mohammad Zaman thotë se luftëtarët e tij do të vazhdojnë të kërkojnë në rajonin malor në përpjekje për të gjetur bin Ladenin, për të cilin ai mendon se mund të ketë kaluar në Pakistanin fqinjë.

Komandanti Zaman përllogarit se rreth 200 luftëtarë të al-Qaidës janë vrarë në luftimet e fundit. Trupat afgane të mbështetur nga avionët luftarakë si dhe forcat speciale amerikane hynë në rajonin e Maleve të Bardha në fillim të muajit me misionin për të vrarë ose kapur terroristët e al-Qaidës dhe udhëheqësin e tyre.

Asnjë nga pohimet e komandantit nuk është konfirmuar nga burime të pavarura, por sipas njoftimeve, intensiteti i luftimeve ka rënë, ndërsa forcat e aleancës kërkojnë nëpër shpella guerrilasit e rrjetit al-Qaida.

Zyrtarët amerikanë kishin thënë se Osama bin Ladeni ishte interceptuar ditët e fundit në afërsi të Tora Borës duke u dhënë luftëtarëve të tij urdhëra me radio. Por zyrtarët thanë se nuk e dinin vendndodhjen e tij të saktë.

Ndërkaq, në Afganistanin jugor, të paktën 3 marinsa amerikanë u plagosën sot, njëri në gjendje të rëndë, kur njëri prej tyre shkeli në një minë toke në aeroportin e Kandanharit. Incidenti ndodhi kur tre marinsat po pastronin pistën nga lëndët plasëse. Forcat amerikane arritën në aeroport të premten për të hequr minat e tokës si dhe municionet e tjera në mënyrë që ky objekt të hapet për përdorim humanitar dhe ushtarak.

XS
SM
MD
LG