Lidhje

Mesimet e nxjerra nga Pearl Harbor - 2001-12-17


Këtë muaj, amerikanët po përkujtojnë 60-vjetorin e asaj që presidenti i atëhershëm Franklin Roosevelt e ka quajtur ”një datë e cila do të mbetet e mbuluar me turp”. Më 7 dhjetor 1941, një forcë prej më shumë se 350 aeroplanësh japonezë sulmuan bazën detare amerikane të Pearl Harborit në Havai.

Japonezët mbytën ose dëmtuan dhjetra aeroplanë dhe anije, shkaktuan vdekjen e mbi 2,400 vetëve - përfshirë personel ushtarak dhe civilë si dhe plagosjen e mbi një mijë vetëve.

Japonezët goditën në territorin amerikan pa bërë ndonjë deklaratë lufte. Sulmi ishte hartuar në fshahtësi dhe u ekzekutua pa mëshirë. Ai çoi në hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore.

Tre muaj më parë, Shtetet e Bashkuara pësuan një sulm tjetër të pabesë. Më 11 shtator, disa mijra civilë u vranë nga sulmet terroriste të organizatës Al-Qaida të Osama bin Ladenit në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe në Pentagon. Pas këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë bota e qytetëruar i shpallën luftë terrorizmit ndërkombëtar.

Në një fjalim me rastin e përvjetorit të Pearl Harborit, Presidenti Bush e krahasoi atë ditë turpi me sulmet terroriste të 11 shtatorit. ”Ajo që ndodhi në Pearl Harbor ishte fillimi i një lufte të gjatë dhe të tmerrshme për Amerikën,”tha Presidenti. E megjithatë, theksoi ai, nga ky sulm i papritur lindi një vendosmëri e madhe e cila e bëri Amerikën mbrojtëse të lirisë. Dhe kushtrimi i madh që lindi nga ai mision vazhdon edhe sot e kësaj dite, kur djemtë dhe vajzat e guximshme të ushtrisë sonë luftojnë kundër forcave të terrorit në Afganistan dhe kudo në botë, tha Presidenti Bush.

Koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara tashmë e ka hequr rrjetin Al-Qaida dhe mbështetësit e saj talebanë nga pushteti në Afganistan. Por ky është vetëm fillimi. Siç është shprehur Presidenti Bush, ”Terrorizmi është një lëvizje, një ideologji që nuk respekton kufij kombësie apo dinjiteti. Terroristët i përbuzin shoqëritë krijuese dhe liritë individuale prandaj ata kanë një urrejtje kaq të veçantë për Amerikën. Ata dëshirojnë ta përqendrojnë pushtetin në duart e pak personave dhe t’i detyrojnë njerëzit të jetojnë në konformitetin e zymtë dhe pa gëzime. Ata i gëzohen vdekjes, duke e quajtur vrasjen mision dhe vetvrasjen një akt të shenjtë.”

Siç ka deklaruar presidenti Bush, lufta kundër terrorizmit nuk do të përfundojë me një armëpushim apo traktat. Ajo do të përfundojë me fitore për Shtetet e Bashkuara, për miqtë e tyre dhe për çështjen e lirisë. Pikërisht ashtu siç ndodhi 60 vjet më parë, në kohë lufte, tha Presidenti, ky vend do të jetë i duruar dhe i vendosur, do të jetë i palëkundur në kërkimin e lirisë.

XS
SM
MD
LG