Lidhje

Qytetërimi kundër terrorizmit - 2001-12-18


11 shtatori ishte njëra prej ditëve më të tmerrshme në histori. Sulmet ndaj Qendrës Botërore të Tregëtisë dhe Pentagonit ishin më shumë se sulme ndaj civilëve. Ato ishin sulme ndaj vetë qytetërimit.

Sulmet ishin vepër e Osama bin Ladenit dhe e rrjetit të tij, al-Qaida. Si të gjithë terroristët e tjerë, terroristët e al-Qaidës kanë të njëjtën urrejtje për demokracinë dhe shtetin ligjor, dashurinë për dhunë e mizori dhe një gatishmëri frikacakësh që i shtyn të sulmojnë civilët e paarmatosur. Siç u shpreh, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, John Ashcroft, armiku terrorist që kërcënon civilizimin e sotëm nuk i ngjan asnjë armiku që ne kemi njohur ndonjëherë. Ky armik masakron mijëra të pafajshëm. Ai kërkon të shtijë në dorë armë të shkatërrimit në masë dhe kërcënon që t’i përdorë kundër Amerikës. Askush nuk duhet të dyshojë për synimet dhe as për thellësinë e urrejtjes së tij shkatërrimtare.

Kështu për shembull, udhëzuesi i al-Qaidës, një libër me instruksione për stërvitjen e terroristëve, është rrënqethës. Ky manual mëson se si të vrasësh. Ai tregon gjithashtu se si mund të përdoret liria si armë. Ai i mëson terroristët që të depërtojnë nëpër komunitetet e ndryshme dhe aty të komplotojnë, të hartojnë plane dhe të presin urdhërat për të ndërmarrë vrasjen e civilëve të pafajshëm.

Terroristët shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofrojnë shoqëritë e lira, edhe pse ata i janë përkushtuar shkatërrimit të këtyre shoqërive. Manuali i al-Qaidës u tregon terroristëve se si të mashtrojnë. Ata mësohen se si të përgatiten për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të autoriteteve dhe si të gënjejnë për identitetin e tyre, për veprimtarinë e tyre dhe për atë që dinë. Terroristët e burgosur mësohen të trillojnë histori për torturimin dhe keqtrajtimin e tyre nga autoritetet. Në manual, atyre u thuhet të përfitojnë nga çdo kontakt me botën përtej hekurave të qelisë, për të komunikuar me bashkëpunëtorët jashtë burgut dhe për të shkëmbyer informacion që mund të jetë i vlefshëm për punën e tyre.

Bin Laden dhe al-Qaida po ndiqen pa pushim nga forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Por koalicioni nuk do të ndalet derisa të gjitha grupet terroriste me shtrirje botërore të jenë çrrënjosur. Siç është shprehur presidenti Bush, Afganistani është vetëm fillimi i luftës kundër terrorit. Ka edhe terroristë të tjerë që kërcënojnë Amerikën dhe miqtë e saj. Amerika nuk do të rrijë duarkryq dhe të presë që terroristët ta sulmojnë sërish. Ajo do të godasë mbi ta pavarësisht se ku fshihen dhe ku komplotojnë ata.

XS
SM
MD
LG