Lidhje

Pakistani në kërkim të të arratisurve të al Qaidës - 2001-12-20


Ushtarët pakistanezë janë në kërkim të rreth 20 të burgosurve të al-Qaida-s, shumica arabë nga Jemeni, që u arratisën dje gjatë një beteje me armë, ndërsa po çoheshin në një burg. Ushtria bllokoi zonën shkëmbore të rajonit gjysëm autonom të fisit Pashtun në Pakistanin verior përgjatë kufirit me Afganistanin. Gjashtë ushtarë pakistanezë dhe shtatë të burgosur u vranë në përleshje.

Të arratisurit janë mes 156 luftëtarëve të kapur nga ushtria pakistaneze ndërsa iknin nga rajoni Tora Bora i Afganistanit. Ndërkohë, forcat amerikane të mbështetura nga helikopterë dhe avionë të zbulimit që fluturojnë lart po vazhdojnë të kontrollojnë kompleksin e shpellave dhe tuneleve për të gjetur luftëtarë të al-Qaida-s që kanë shpëtuar.

Në New York, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po përgatitet të autorizojë dërgimin e një force ndërkombëtare paqeruajtëse për Afganistanin. Këshilli i Sigurimit pritet të votojë sot për një projekt rezolutë që i jep forcës shumëkombëshe një mandat gjashtëmujor dhe të drejtën për të përdorur forcën. Grupi i parë i paqeruajtësve pritet të shkojë në Kabul të shtunën, kur të fillojë punën qeveria e re kalimtare afgane. Britania do të drejtojë forcën paqeruajtëse prej tre mijë trupash të përbërë nga disa vende.

XS
SM
MD
LG