Lidhje

Kartmonedha e re EURO - 2001-12-20


Më 1 janar, evropianët do t’u thonë mirupafshim monedhave që ata kanë njohur gjatë gjithë jetës së tyre, si frangut, markës apo liretës. Këto do zëvëndësohen me kartmonedha dhe monedha të reja të euros. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian shpresojnë se një euro e sukseshme do krijojë një identitet të vërtetë pan evropian si brënda ashtu edhe jashtë tij, megjithëse në këtë sistem nuk marrin pjesëBritania, Danimarka dhe Suedia.

Peter Ludlow, shefi i një instituti ekonomik në Bruksel të quajtur Eurocomment, thotë se euro duhet të jetë një hap i madh drejt integrimit evropian. ”Nuk ka gjë më të çmueshme për shumicën e njerëzve se ato që kanë në partofol apo në xhep. Tani e tutje do të jetë njësia monetare europiane. Mendoj se euro do jetë prova konkrete e unitetit tonë si edhe një katalizator i ndryshimeve të ardhshme" thotë zoti Ludlow.

Gjatë 50 vjetëve të fundit, Evropa ka ecur në rrugën drejt bashkimit të saj, bashkim i cili tani është më afër se kurrë, por zhvillimet më të rëndësishme në këtë drejtim si vendosja e tarifave të përbashkta apo krijimi i një tregu të vetëm kanë qenë thjesht ë të natyrës teknike. Megjithatë, Jerome Sheridan, i cili drejton Qendrën e Universitetit Amerikan në Bruksel, thotë se me paraqitjen e euros qytetarët evropianë do fillojnë ta identifikojnë veten me Bashkimin Evropian në një mënyrë krejt të re. ”Euro është një simbol i ri real e konkret i Bashkimit Evropian, të cilin njerëzit do e mbajnë çdo ditë në xhepat e tyre. Dhe kjo do ketë një ndikim shumë të madh psikologjik mbi qyteatrët evropianë dhe do krijojë një identitet më të madh evropia", thotë zoti Sheridan.

Ndryshimi i madh i dytë do fillojë në fund të vitit 2 mijë e 2, kur Bashkimi Evropian do hapë dyert për mbi 10 vende të Evropës lindore, jugore dhe qëndrore. Zgjerimi i Bashkimit Evropian jo vetëm që do të ndryshojë hartën politikë të Evropës, por gjithashtu do të shkaktojë një debat mbi përgjegjshmërinë demokratike të institucioneve të kësaj bashkësie.

Bashkimi Evropian do të fillojë një kuvend një vjeçar me pjesëmarrjen e ekspertëve të çështjeve kushtetuese, të parlamentarëve të shteteve individuale dhe anëtarëve të parlamentit evropian për të diskutuar se çfarë pasojash do ketë zgjerimi i bashkësisë për qytetarët e tij. Zoti Sheridan vë në dukje se në të kaluarën, udhëheqësit evropianë kanë dhënë premtime boshe rreth transparencës në procesin e marrjes së vendimeve në Bashkimin Evropian, vendime të cilat kryesisht janë marrë nga qeveri të veçanta. Por tani, thotë ai, ata nuk do mund tu shpëtojnë debateve serioze rreth këtyre çështjeve. Në krye të rendit të ditës të kuvendit do të jetë ndarja sa më e mirë e pushtetit midis institucioneve evropiane në Bruksel dhe shteteve anëtare. Zoti Ludlow i institutit Eurocomment thotë se shumica e anëtarëve të kuvendit, duke përfshirë këtu përfaqësues nga vende kandidate për të hyrë në Bashkimin Evropian, do jenë anëtarë të parlamentëve të tyre kombëtare. Megjithëse duket që synimi i Bashkimit Evropian është reformimi i institucioneve të tij për t’i bërë ato më demokratike dhe më të efektshme ndërsa bën përgatitjet për zgjerim, ai mbahet shpesh peng nga interesat kombëtare Kjo shihet për shembull në rastin e forcës së ndërhyrjes së shpejtë, që është në plan të përdoret në ato misione paqeruajtëse dhe humanitare, ku NATO nuk dëshiron të ndërlikohet. Megjithëse në një takim të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian që u mbajt kohët e fundit në Bruksel u tha se kjo forcë është gati për veprim, në fakt ajo ende nuk është gati. Zoti Sheridan i Universitetit Amerikan thotë se Greqia po bllokon një marrëveshje të pranuar nga rivalja e saj, Turqia, që do t’i garantonte Bashkimit Evropian të drejtën e përdorimit të burimeve të NATOs. Bashkimi Evropian, dhuruesi më i madh i ndihmave në botë, nuk ka qenë i suksesshëm në përpjekjet për të përdorur fuqinë e tij financiare si mjet për ndikim politik, sidomos në Lindjen e Mesme, ku ai shihet nga Izraeli si përkrahës i palës arabe. Optimistët e Bashkimit Evropian thonë se zhvillimi i ndikimit politik, si zhvillimi i një politike të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes, është një projekt afatgjatë. Ndërsa pesimistët thonë se Bashkimi Evropian nuk do t’ia arrijë kurrë qëllimit të saj pasi Britania, Franca dhe Gjermani, tre të mëdhenjtë e bllokut, gjithmonë do të vënë interesat e tyre kombëtare mbi ato të bashkësisë.

XS
SM
MD
LG