Lidhje

Përshëndetja e presidentit Bush me rastin e Krishlindjeve - 2001-12-25


Presidenti Bush po kalon një Krishtlindje të qetë me familjen e tij në vendpushimin presidencial Camp David në afërsi të Washingtonit. Në një fjalim të shkurtër drejtuar vendit me rastin e Krishtlindjes, presidenti foli për të veçantën e sezonit të sivjetëm të festave.

Presidenti tha se në këtë Krishtlindje Amerika përjetoi emocione të përziera. Ai tha se gëzimi i sezonit të festave ndërthuret me ndjenjën e pandarë të humbjes: "Në këtë ditë ne japim falenderime për mrekullinë që sjell dashuria e Zotit, për bekimet që kemi marrë si dhe për familjet tona. Këtë vit të gjitha këto gjëra duken edhe më të rëndësishme".

Presidenti Bush tha se Krishtlindja e këtij viti festohet në një periudhë konflikti dhe sfidash. Ai theksoi se në këtë sezon pushimesh shumë familje ndeshen me dhimbje dhe me ndjenjën e humbjes, veçanërisht familjet e viktimave të terrorizmit si dhe të amerikanëve të vrarë në betejë: "Amerika ndan me ju hidhërimin dhe ne shpresojmë që ju të mund të gjeni qetësinë dhe shpresën e Krishtlindjes". Në fjalimin e tij me rastin e Krishtlindjes, presidenti foli gjithashtu edhe për forcat amerikane që janë angazhuar në luftë kundër terrorizmit, si dhe për sakrificat që ata po bëjnë për Amerikën. "Ne ndjejmë një mirënjohje të veçantë për burrat dhe gratë në radhët e ushtrisë sonë, shumë prej të cilëve sot janë larg njerëzve tyre të dashur pasi janë në shërbim të atdheut tonë".

Në prag të Krishtlindjes presidenti Bush u telefonoi 9 burrave dhe grave që shërbejnë në radhët e forcave të armatosura. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti donte të shprehte falenderimet e tij dhe të përcillte urimet e tij më të mira për pjesëtarët e forcave të armatosura, marinës dhe forcave ajrore të cilët po japin kontributin e tyre në luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG