Lidhje

Bush: fjalim në radio - 2001-12-29


Në fjalimin e tij të fundit në radio për këtë vit, presidenti Bush i hodhi një vështrim vitit 2001 si dhe sfidave të vitit të ri 2002. Presidenti tha se viti i vjetër u mbyll me përparime në fushën e betejës dhe me arritje në frontin e brendshëm, ndërkohë që Viti i Ri do të sjellë sfida të reja. Presidenti tha se përparime ishin arritur edhe në politikat e brendshme, por shtoi se ka patur zhgënjime, si dështimi në minutën e fundit në Kongres i paketës për t’i dhënë shtytje ekonomisë së ngadalësuar amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit .

”Shpresoj që këtë vit të ri do të lëmë mënjanë ndarjet partiake për të realizuar objektivat në të mirë të popullit amerikan,” tha presidenti në fermën e tij në Texas, ku po kalon pushimet e fundvitit.

Në politikën e jashtme presidenti gëzon mbështetjen e të dyja partive në kongres si dhe të popullit amerikan e për luftën kundër terrorizmit, që ai ndërmori në përgjigje të sulmeve në New York dhe Washington të cilat u kushtuan jetën më shumë se 3 mijë vetëve. ”Mbi të gjitha, viti që vjen do të kërkojë angazhimin tonë të patundur ndaj luftës kundër terrorizmit”, tha presidenti. ”Nuk mund ta dimë se sa do të zgjasë kjo luftë. Por ajo do të përfundojë vetëm në një mënyrë: me fitoren e Amerikës dhe të kauzës së lirisë.”

Duke e quajtur vitin 2001 “vit që amerikanët do ta kujtojnë gjithmonë, ai tha: “Ne kemi pësuar humbje të mëdha dhe gjetëm një unitet të ri. U sulmuam dhe u përgjigjëm shpejt.”

”Ne hedhim vështrimin prapa në vitin 2001 me pikëllim dhe krenari, tha presidenti, ndërsa Duhet të shohim përpara me vendosmëri dhe të patundur.”

Presidenti Bush do ta kalojë Vitin e Ri në fermën e tij në Texas dhe do të kthehet në Washington nga fundi i javës së parë të janarit.

XS
SM
MD
LG