Lidhje

Marrëveshje për trupat - 2001-12-30


Ministri i jashtëm i qeverisë së përkohshme afgane Abdullah thotë se është arritur një marrëveshje për dislokimin dhe përgjegjësitë e forcës ndërkombëtare paqeruajtëse për Afganistanin.

Zoti Abdullah u tha gazetarëve sot në Kabul se marrëveshja është finalizuar. Por ai nuk dha hollësi dhe nuk tha se kur do të hyjë në fuqi ajo. Kontigjenti i parë i paqeruajtësve britanikë ndodhet në Afganistan prej më se një jave.

Marrëveshja përfundimtare ndërmjet fraksioneve në qeverinë e përkohshme të Kabulit është shtyrë për shkak të debateve lidhur me madhësinë dhe funksionet e forcës së udhëhequr nga britanikët. Disa udhëheqës të fiseve afgane thonë se kjo forcë nuk është e nevojshme, ndërsa të tjerë kërkojnë një prani ndërkombëtare edhe në rajone të tjera përveç kryeqytetit.

Autoritetet kanë deklaruar se forca paqeruajtëse mund të ketë deri në 4 mijë trupa të dislokuara në Kabul dhe përreth tij.

Zoti Abdullah shtoi se ka mundësi që Osama bin Laden të jetë ende në Afganistan, por nuk dha hollësi dhe nuk paraqiti prova.

Javën e kaluar, ministri i mbrojtjes i qeverisë së përkohshme afgane tha se udhëheqësi i al-Qaidës ka mundësi të ketë kaluar kufirin për në Pakistan. Ministri i jashtëm i Pakistanit i hodhi poshtë këto komente si spekulime.

XS
SM
MD
LG