Lidhje

Amerikanët nuk janë frikësuar - 2001-12-31


Pas sulmeve terroriste makabre të 11 shtatorit ndaj Qendrës Botëror të Tregëtisë dhe Pentagonit, amerikanët kanë provuar emocionet më të forta njerëzore, siç janë tronditja, hidhërimi, zemërimi për autorët e mizorive - terroristët e al-Qaidës dhe mbrojtësit e tyre talebanë. Por amerikanët nuk janë frikësuar. Përkundrazi, ata kanë ndërmarë përsipër detyrën e pastrimit të botës nga terroristët ndërkombëtarë dhe përkrahësit e tyre, duke filluar me al-Qaidën dhe regjimin taleban, të pëmbysur njëherë e përgjithmonë.

Kjo fushatë do të kërkojë kohë. Por në realizimin e saj, amerikanët do të ndihmohen nga besimi i tyre, nga angazhimi ndaj parimeve demokratike dhe nga sensi i tyre i humorit.

Javët e para pas sulmeve të 11 shtatorit ishin një periudhë zie për të vdekurit. Shumë prej veprimtarive argëtuese u ndalën apo u shtynë. ”Në një botë ku njerëz drejtojnë aeroplanët drejt ndërtesave për të vetmin qëllim, vrasjen e njerëzve të pafajshëm, argëtimi duket tepër pa vend,” u shpreh në atë kohë humoristi Jay Leno, drejtues i emisionit televiziv të orëve të vona, ”The Tonight Show”. Por ndërkohë që amerikanët filluan t’i përvishen sërish punës për rindërtim dhe luftës kundër rrezikut terrorist, humorit amerikan zuri përsëri vendin e tij. Përballë kërcënimeve të Bin Ladenit, Mullah Mohammed Omarit dhe të të tjerëve, amerikanët punuan dhe njëkohësisht qeshën.

Kreu i terroristëve, Bin Laden, kërkoi të frikësonte amerikanët. Në vend të kësaj, ai u bë objekt përbuzjeje dhe talljeje. Karikatura gazetash e paraqisnin bin Ladenin duke dalë fshehurazi nga Afganistani, i maskuar me burkë grash, veshje me të cilën talebanët detyronin gratë të visheshin nga koka në këmbë. ”Njoftimet më të fundit, do të përqeshte humoristi Leno, bëjnë të ditur se Osama bin Laden ka rruar mjekrrën, po vishet me rroba perëndimore dhe ka bërë operacion plastik. A nuk është e habitshme, pyet ai duke u tallur. Ky njeri ka prodhuar vetëm dy video-kaseta dhe ka kapur majat e Hollywoodit.”

Një humor i tillë i ka ndihmuar amerikanët të kalojnë vështirësitë e luftrave të mëparshme, kryesisht Luftën e Dytë Botërore kundër Hitlerit dhe fashizmit. Në fjalimin e tij historik përpara kongresit më 20 shtator, Presidenti Bush e krahasoi betejën kundër terrorizmit me Luftën e Dytë Botërore.

Asgjë nuk e ndan jetën që amerikanët, si të gjithë njerëzit e lirë, duan, nga ajo që ofronin talebanët dhe terroristët, më shumë se sa kjo shprehje: Udhëheqësit talebanë u përpoqën të ndalin humorin. Le të tallemi me ta.

XS
SM
MD
LG