Lidhje

Një zyrtar i lartë taleban i vrarë - 2002-01-03


Zyrtarë afganë në Kabul konfirmuan se në një sulm ajror amerikan nga fundi i muajit të kaluar ishte vrarë një anëtar i lartë i regjimit të përmbysur taleban.

Zyrtarët thonë se shefi i shërbimit taleban të zbulimit, Kari Ahmedullah, u vra kur avionët amerikanë bombarduan një shtëpi në krahinën Paktika të Afganistanit, ku ai po qendronte. Njoftohet gjithashtu se në këtë sulm u vranë të paktën edhe 25 persona të tjerë.

Mendohet se zoti Ahmedullah është zyrtari më i lartë taleban që vitet gjatë fushatës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër regjimit taleban dhe rrjetit terrorist al-Kaida të Osama bin Ladenit.

Ndërkohë, njoftohet se luftëtarë talebanë dhe të al-Kaidës në qytezën Baghran kanë filluar t’ua dorëzojnë armët dhe automjetet forcave anti-talebane. Më parë ishte njoftuar se kishin filluar bisedimet për dorëzimin e afro 1500 luftëtarëve që ende vazhdojnë qendresën në provincën Helmand.

Një zyrtar i shërbimit afgan të zbulimit tha të martën se luftëtarët në Baghran po mbrojnë udhëheqësin taleban, Mullah Muhamed Omar. Mirëpo, një zyrtar i Pentagonit tha se kjo është diçka që nuk mund të vërtetohet.

Që nga viti 1996, Mullah Omari i ka dhënë strehim Osama bin Ladenit, të cilin Washingtoni e akuzon për organizimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Marinsat që po kthehen nga kërkimi në një kompleks taleban në perëndim të Kandaharit, thonë se kanë gjetur disa dokumenta që mund të ndihmojnë në operacionet e kërkimit për Osama bin Ladenin dhe udhëheqës të tjerë talebanë dhe të al-Kaidës.

Zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes, Victoria Clarke, tha se aktualisht forcat amerikane në Afganistan mbajnë 221 anëtarë të lëvizjes Taleban dhe të rrjetit al-Kaida. Shumica e tyre mbahet në Kandahar, ku ndodhet baza më e madhe amerikane në Afganistan.

XS
SM
MD
LG