Lidhje

India - Pakistanit: - 2002-01-03


Kryeministri indian, Atal Behari Vaxhpaji, hodhi poshtë kërkesën e Pakistanit për të paraqitur më shumë prova që lidhin grupet myslimane me bazë në Pakistan me sulmin terrorist të dhjetorit kundër parlamentit të Indisë.

Pakistani ngul këmbë se New Delhi nuk ka dhënë prova të mjaftueshme. Mirëpo, zoti Vaxhpaji thotë se dokumentat dhe plumbat e gjetura në trupat e 5 terroristëve të vrarë në sulm, përbëjnë të gjitha provat e nevojshme.

Zoti Vaxhpaji e bëri këtë koment, pasi ministrat e jashtëm nga India dhe Pakistani i dhanë dorën njëri-tjetrit në publik në Nepal, para një takimi rajonal të nivelit të lartë. Përshëndetja midis ministrit indian të punëve të jashtme, Xhasvant Singh, dhe homologut të tij pakistanez, Abdul Satar, ishte kantakti i parë i nivelit të lartë midis dy qeverive që nga sulmi terrorist në New Delhi.

Mirëpo, India ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve dypalëshe gjatë takimit të nivelit të lartë midis zotit Vaxhpaji dhe presidentit pakistanez, Pervez Musharaf, të cilët pritet të mbërrijnë nesër në Katmandu.

Të dyja vendet kanë dislokuar forca pranë kufirit të tyre, në atë që cilësohet si grumbullimi më i madh forcave ushtarake në thuajse 15 vjet. Dje, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher, mirëpriti një deklaratë të ministrit indian të Mbrojtjes, Xhorxh Fernandes, se trupat indiane në Kashmir po dilokohen në zona grumbullimi dhe jo në pozicione luftimi në rajon.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njofton se presidenti Bush i telefonoi dje kryeministrit britanik, Toni Bler, për të diskutuar rreth mënyrave për uljen e tensionit midis Indisë dhe Pakistanit. Zoti Bler po përgatitet të bëjë vizita në të dyja vendet, ndoshta nga fillimi i javës tjetër.

XS
SM
MD
LG