Stuhia më e fuqishme e borës në dekadën e fundit detyroi zyrtarët grekë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin e Athinës. Rreth 15 centimetra borë kanë rënë në qendër të Athinës, një ngjarje mjaft e rrallë.
Njoftimet bëjnë të ditur për reshje më të mëdha në rrethinat në veri të qytetit. Gjatë orëve të vona të ditës së djeshme si dhe sot në mëngjes, veprimtaria në aeroportin e Athinës u pezullua si pasojë e borës.
Si rrjedhojë e stuhisë ka pasur ndërprerje sporadike të energjisë elektrike. Sipas parashikimeve të motit pritet që rreshjet e borës të ndalen sonte ose nesër në mëngjes. Kjo stuhi dëbore ka mbuluar edhe Turqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik në Athinë tha se reshjet e dëborës në kryeqytetin grek ishin më të dendurat në rreth 10 vjet.
Prej disa javësh, Evropa po goditet nga reshje të mëdha dëbore, temperatura jashtëzakonisht të ulëta dhe përmbytje.