Lidhje

Mullah Omar përsëri shpëton - 2002-01-05


Udhëheqësi i përmbysur taleban, Mullah Omar, me sa duket përsëri u ka shpëtuar forcave anti-talebane në malet e Afganistanit jugor.

Një zyrtar i shërbimit anti-taleban të zbulimit në qytetin Kandahar tha se kleriku mund të jetë larguar me motocikletë për t’u shpëtuar forcave amerikane dhe afgane që e kishin rrethuar, ndërkohë që përkrahësit e tij diskutonin kushtet e dorëzimit të tij.

Njoftohet se zyrtarë të tjerë të zbulimit afgan thonë se e dinë ku ka shkuar Mullah Omari dhe se kanë besim që ai do të kapet.

Ndërkaq, burime ushtarake amerikane në Afganistan thonë se ish zëdhënësi kryesor taleban, Mullah Abdul Salam Zaeef, i cili shërbente si ambasador në Pakistan, është tani në duart e tyre.

Zoti Zaeef u deportua sot nga Pakistani pasi kërkesa e tij për strehim politik u hodh poshtë.

Autoritetet pakistaneze e morën zotin Zaeef nga banesa e tij në Islamabad të enjten për ta marrë në pyetje. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, ambasadori taleban u bë fytyrë e njohur në televizor duke folur në emër të regjimit taleban.

I dërguari 34 vjeçar është anëtari më i lartë i lëvizjes talebane ndër 307 të burgosurit talebanë dhe anëtarë të al-Qaidës që mbahen nga forcat amerikane.

Forcat amerikane në Afganistan mbajnë edhe një anëtar të lartë të rrjetit terrorist al-Qaida. Ibn Al-Shaykh al-Libi drejtonte kampet stëvitore terroriste të al-Qaidës.

Ndërkohë, i dërguari i ri i presidentit Bush në Afganistan, Zalmay Khalilzad, mbërriti në Kabul, ku tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë fushatën deri në çlirimin e plotë të Afganistanit nga lëvizja Taleban dhe rrjeti terrorist al-Qaida.

I dërguari i posaçëm, me prejardhje afgane, u kthye në vendlindjen e tij për herë të parë pas 30 vjetësh. Zoti Khalilzad do të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë afgane dhe përfaqësues të huaj në Kabul për të diskutuar një numër çështjesh. Një ndër temat pritet të jetë viktimat civile nga bombardimet amerikane.

XS
SM
MD
LG