Lidhje

Kalendari Historik 4 janar - 2002-01-07


Më 4 janar 1789, mekaniku Samuel Slater arriti të largohej nga Anglia dhe të arrinte në Shtetet e Bashkuara. Kjo datë shihet si gur themeltar për industrinë amerikane të tekstileve. Në atë kohë, ishte kundër ligjit që mekanikët e kualifikuar për të punuar në fabrikat tekstile angleze të largoheshin nga vendi, pasi Anglia donte që skicat e makinerive të saj tekstile të mbeteshin sekret. Por Samuel Slater shkeli ligjin dhe doli jashtë Anglisë. Pasi mbërriti në Shtetet e Bashkuara, ai skicoi në bazë të kujtesës dhe rindërtoi makineritë komplekse të tezgjahut me të cilat ai kishte punuar në Angli. Pas 11 muajsh, ai krijoi për herë të parë në Rhode Island të Shteteve të Bashkuara, linjën e tezgjahëve për tjerrjen e pambukut . Kështu, njeriu që shkeli ligjin anglez, ka meritën e themelimit të industrisë moderne të tekstileve në Shtetet e Bashkuara.

Më 4 janar 1821, vdiq Elizabeth Seton e cila 150 vjet më vonë, do të bëhej amerikania e parë e lindur në kontinentin verior që shenjtërohej nga Kisha katolike. E lindur në një familje protestante më 1774, Elizabeth u konvertua në katolike më 1805, pas vdekjes së burrit. Thirrja e parë e saj si katolike ishte ajo për ngritjen e shkollave femërore në Baltimore të Marylandit. Përpjekjet e saj u bënë shembull për shkollat me bazë famullie në mbarë Amerikën. Më 1808 ajo u shpërngul në Emmitsburg, po të shtetit Maryland, për të ndihmuar në ngritjen e një kongregacioni murgeshash si degë e Bijave të Mëshirës. Elisabeth Seton dhe ndjekëset e saj ia kushtuan veten kujdesit për të sëmurët dhe të varfërit. Më shumë se 150 vjet pas vdekjes së saj, më 14 shtator të vitit 1975, Papa Pali i Gjashtë e shpalli atë shenjtore. Gjatë një sherbese në Sheshin e Shën Pjetrit, papa vlerësoi lart ndihmesën e saj personale dhe të jashtëzakonshme si grua, bashkëshorte, nënë dhe udhëheqëse fetare.

XS
SM
MD
LG