Lidhje

Musharaf dënon terrorizmin - 2002-01-07


Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf dënoi publikisht terrorizmin në një deklaratë që konsiderohet në shkallë të gjerë si kritika më e fortë ndaj ekstremistëve islamikë që pas sulmeve të muajit të kaluar kundër parlamentit indian.

Zoti Musharraf e bëri këtë deklaratë sot në Islamabad, përkrah kryeministrit britanik Tony Blair i cili po zhvillon një vizitë në rajon. Në deklaratën e tij presidenti pakistanez tha se Pakistani i ka ofruar bashkëpunim të plotë komunitetit ndërkombëtar në luftë kundër terrorizmit.

Ai tha se qeveria e tij dëshiron të fillojë bisedimet me Indinë për të zgjidhur krizën, e cila ka shkaktuar një dislokim të madh trupash nga të dyja palët përgjatë kufirit të të dy vendeve. Presidenti pakistanez tha gjithashtu se do të njoftojë hollësitë e masave të reja anti-terroriste në një fjalim drejtuar vendit, që do ta mbajë brënda disa ditësh.

Deklarata kundër terrorizmit e zotit Musharaf përkon me trysninë intensive ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera që dy vendet rivale të Azisë jugore të zgjidhin krizën e tanishme nëpërmjet diplomacisë.

Nga ana e tij, kryeministri Blair e mirëpriti deklaratën e zotit Musharraf dhe tha se India dhe Pakistani duhet të zhvillojnë një proces domethënës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të përbashkëta.

Dje, India tha se nuk do të hynte në bisedime me Pakistanin në qoftë se zoti Musharaf nuk dënonte publikisht terrorizmin. India nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtar ndaj deklaratës së fundit të presidentit Musharaf.

XS
SM
MD
LG