Lidhje

Në Maqedoni, policia nuk lejohet të hyjë në fshatin Çellopek - 2002-01-11


Në Maqedoni, patrullat e policisë nuk janë lejuar të hyjnë në fshatin Çellopek të Tetovës për shkak se popullata vendëse e ka bllokuar rrugën në shenjë proteste ndaj planeve të qeverisë për dërgmin e forcave policore në ish-zonat e krizës

Hyrja e policisë në tetë fshatrat e Tetovës e të Shkupit, e planifikuar për sot, nuk u realizua plotësisht. Policia, edhe pse njësitë e saja nuk përbëheshin vetëm nga maqedonas, nuk arriti të hyjë në fshatin Çellopek, për shkak se banorët e tij nuk e lejuan duke bllokuar dhe rrugën. Banorët shqiptarë kanë kërkuar që së pari të hiqen postoblloqet e policisë nga hyrja e fshatit.

Përfaqësuesit e OSBE-së në Shkup i kanë sugjeruar qeverisë që të mos ngutet me procesin e kthimit ose të dërgimit të policisë në fshatrat Radushë të Shkupit, në Neproshten dhe Sllatinë të Tetovës për shkak se duhet kohë deri sa të krijohet mirëbesimi te banorët lokal.

Policia ishte në plan të hynte në gjithsej tetë fshatra të ish-zonave të krizës, e shoqëruar nga vëzhguesit e OSBE-së, të Bashkimit Evropian dhe nga përfaqësuesit e misionit Amber Fox të Natos.

Pritet që Këshilli Kombëtar i Sigurimit do të mblidhet shpejt për të gjetur mënyra të reja përsa i përket planeve të hyrjes së policisë nëpër fshatrat e krizës dhe për vendosjen e postoblloqeve policore.

Ndërkaq heqja e postoblloqeve kundërshtohet ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski, i cili konsiderohet si politikan i vijës së ashpër. Ministri maqedonas nuk e vlerëson si të efektshëm patrullimin e policisë së përzier, ku ka maqedonas dhe shqiptarë. Zoti Boshkovski, por dhe kryeministri Lubço Georgievski janë vënë në qendër të kritikave të shqiptarëve por dhe të një partie maqedonase, LSD, pas ndarjes së medaljoneve me ikona krishtere dhe lutje fetare, njësiteve speciale policore.

XS
SM
MD
LG