Lidhje

Robërit e parë të luftës në Guantanamo - 2002-01-12


Avioni i parë me robër lufte nga Afganistani mbërriti dje në bazan amerikane detare në Gjirin Guatanamo të Kubës.

Duke konfirmuar mbërritjen e tyre, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, mbrojti edhe mënyrën se si ishin trajtuar 20 të burgosurit, të cilëve u ishte mbuluar kokë e fytyrë dhe u ishin vënë pranga gjatë udhëtimit. Ai vuri në dukje se njërit nga të burgsurit i ishin dhënë ilaçe qetësuese gjatë gjithë udhëtimit.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë pranojnë tani se sulmi kundër aeroportit të Kandaharit nga njerëz të panjohur u ndërmor të enjtën në mbrëmje, ndërkohë që avioni po ngrihej nga pista dhe jo 15 apo 20 minuta më pas, siç ishte njoftuar fillimisht. Ata thonë se ende nuk kanë ide se kush e ndërmori atë sulm.

Zyrtarë amerikanë thonë se mbi 445 persona të dyshuar si talebanë dhe lufëtarë të al-Kaidës që mbahen nga forcat amerikane, do të dërgohen në bazën Guatanamo për t’u marrë në pyetje.

Sekretari Rumsfeld u tha gazetarëve në Washington se ai nuk mund t’i vërtetonte njoftimet se zyrtarë afganë kanë lënë të lirë disa zyrtarë të lartë talebanë pasi ishin dorëzuar.

Ai tha gjithashtu se forcat amerikane po marrin pjes më aktive në procesin e mbledhjes dhe të analizmit të informacionit të zbulimit në përpjekje për të parandaluar sulme të tjera terroriste. Forcat amerikane dhe ato afgane kanë filluar edhe çarmatimin e luftëtarëve të milicive në qytetin Spin Boldak, në afërsi të kufirit me Pakistanin. Kjo masë është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurimin në atë zonë, ku veprojnë shumë banditë.

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, do të vizitojë Afganistanin javën e ardhshme, gjatë një udhëtimi në Azinë Jugore. Zoti Powell tha dje se do ta shfrytëzojë këtë vizitë për t’u njohur me udhëheqësit afganë dhe për të mësuar mbi përpjekjet për rindërtimin e vendit.

Gjatë këtij udhëtimi, sekrketari Powell do të bëjë vizita edhe në Indi e Pakistan dhe do të marrë pjesë në konferencën mbi rindëritmin e Afganistanit që fillon në Tokjo më 21 janar.

XS
SM
MD
LG