Lidhje

Izraeli tërhiqet nga një zonë e Gazës (13 janar) - 2002-01-13


Trupat izraelite u tërhoqën nga një rrugë kryesore që futën nën kontroll javën e kaluar, duke izoluar qytetin Rafah nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës. Ushtarët izraelitë e bllokuan rrugën pasi ekstremistë myslimanë sulmuan një postë ushtarake brenda Izraelit ditën e merkurë, duke vrarë katër ushtarë.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë palestinez tha se është arrestuar vetëm një nga tre oficerët ushtarakë palestinezë që dyshohen se bënë përpjekje për të futur kontrabandë një anije me armë në Rripin e Gazës. Më parë ishte njoftuar se të tre oficerët e dyshuar ishin arrestuar.

Javën e kaluar, forca të posaçme izraelite ndaluan në Detin e Kuq anijen e ngarkuar me armë. Izraeli ngul këmbë se Autoriteti Palestinez ishte pas këtij operacioni. Kjo akuzë hidhet poshtë nga zyrtarë palestinezë.

Ndërkaq, Kryqi i Kuq ka në plan të shpërndajë sot enë gatimi, batanije dhe enë uji për qindra palestinezë, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga buldozerë izraelitë.

Në Gjenevë, zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Vincent Lusser, dënoi veprimin ushtarak izraelit të javës së kaluar në kampin Rafah të refugjatëve në Rripin e Gazës.

Ai tha se 600 palestinezë mbatën pa strehë, kur tanke dhe buldozerë izraelitë shkatërruan 53 shtëpi, duke detyruar shumë prej refugjatëve të jetojnë nën qiellin e hapur në shi dhe të ftohtë.

Zoti Lusser tha se ligjet ndërkombëtare ndalojnë kategorikisht shkatërrimin e pasurisë civile, nëse ajo nuk përdoret për qëllime ushtarake. Ai tha gjithashtu se të njëjtat ligje ndalojnë edhe hapjen e zjarrit nga shtëpi civile. Izraeli ngul këmbë se terroristët hapën zjarr nga ato shtëpi.

XS
SM
MD
LG