Lidhje

India- Pakistani do të punojnë për uljen e  tensioneve - 2002-01-13


Shtëpia e Bardhë njofton se udhëheqësit e rivalëve bërthamorë, Indisë dhe Pakistanit, i thanë presidentit Bush, se ata do të punojnë për uljen e tensionit përgjatë kufirit të tyre.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti Bush i telefonoi djs udhëheqësit pakistanez, Pervez Musharaf, dhe e falenderoi atë për fjalimin e së shtunës, në të cilin gjenerali Musharaf premtoi se do të marrë masa kundër ekstremistëve myslimanë që fajsohen për sulmin e dhjetorit kundër parlamentit indian.

Më pas, presidenti Bush diskutoi rreth fjalimit të zotit Musharaf gjatë një bisede telefonike me kryeiministrin indian Atal Behari Vaxhpaji.

Po dje, ministri i Jashtëm indian, Jaswant Singh, përshëndeti premtimin e zotit Musharaf për të mos lejuar përdorimin e truallit pakistanez për të kryer akte terrorizmi kundër Indisë. Zoti Musharaf vendosi të ndalojë veprimtarinë e pesë organizatave separatiste myslimane, që kërkojnë të dëbojnë Indinë nga rajoni i Kashmirit, përfshirë dy grupe që India fajson për sulmin kundër parlamentit.

Zoti Singh tha se India është e gatshme të rifillojë dialogun me Pakistanin rreth Kashmirit, sapo të pakësohet dhuna rajonale. Por ai theksoi se New Delhi kërkon fillimisht që Pakistani të ndërmarrë veprime konkrete. Policia e Pakistanit njofton se gjatë fundjavës ka arrestuar qindra ekstremistë.

XS
SM
MD
LG