Lidhje

Sëmundja e Glaukomës - 2002-01-14


Sëmundja e glukomës pengon qarkullimin normal të lëngut të syrit, gjë që shkakton rritjen e tensionit të lëngut brenda syrit. Tensioni i rritur mund të dëmtojë nervin optik që transmeton pamjet nga syri në tru. Lloji më i përhapur i glaukomës prek njerëzit mbi moshën 40 vjeç. Glaukoma gjithshtu mund të prekë më lehtë ata që kanë edhe anëtarë të familjes me këtë sëmundje. Zezakët janë më në rrezik të preken nga kjo sëmundje, si dhe ata që vuajnë nga diabeti apo tensioni i lartë. Shenja e parë e glaukomës është zakonisht një humbje e lehtë e të parit nga cepat e syrit. Ekspertët thonë se shumica e njerëzve nuk e dinë që kanë glaukomë deri sa ajo të ketë shkaktuar një humbje të vërtetë të të parit. Zakonisht, shikimi i humbur nga glaukoma nuk mund të rifitohet. Megjithatë dëmtimi i mëtejshëm mund të kontrollohet dhe shikimi mund të ruhet nëse sëmundja diktohet në një fazë të hershme. Mjekët e trajtojnë glaukomën me ilaçe apo me operacion me rreze lazer.

Vitin e kaluar, administrata amerikane e ushqimit dhe ilaçeve miratoi tre medikamente të reja për të trajtuar glaukomën. Dy prej tyre rrisin lëvizjen e lëngut jashtë syrit, e cila si pasojë ul tensionin në sy. Medikamenti i tretë rrit tharjen e lëngut dhe gjithashtu ul sasinë e lëngut të prodhuar.

Kërkues në Izrael po krijojnë një vaksinë me të cilën glaukoma mund të trajtohet. Michal Shwartz është profesoresh pranë Institutit të shkencës Weizmann në Revohot. Ajo thotë se eksperimentet me minj treguan se ilaçi Copaxone mbron nervin optik. Kërkuesit mund të fillojnë përdorimin e vaksinës në njerëz vitin që vjen apo mbas 2 vjetësh. Shkëncëtarët izraelitë e krijuan Copaxone për të trajtuar sëmundjet e sklerozës.

Një shkencëtar kanadez ka krijuar një aparat me anë të të cilit njerëzit mund ta masin tensionin e syrit në shtëpi. Aparati e mat tensionin nëpërmjet kapakut të syrit. Deri tani matja e tensionit të syrit mund të bëhej vetëm në spital. Ekspertët thonë se aparati i ri do t’u japë të sëmurve me glaukoma dhe mjekëve të tyre një informacion më të qartë rreth efektshmërisë së ilaçeve që po marrin.

Ata gjithashtu thanë se të gjithë personat mbi moshën 40 vjeç duhet që çdo vit të bëjnë analiza me mjekë specialistë për glaukomë.

XS
SM
MD
LG