Lidhje

Prokuroria shqiptare nis hetimet për tre çështje - 2002-01-14


Lufta politike e shpërthyer në gjirin e partisë socialiste, akuzat dhe kritikat e ashpra të kryetarit socialist Fatos Nano për abuzime në njërë anën dhe lufta kundër korrupsionit e shpallur nga kryeministri Meta në anën tjetër, ka nisur të përfundojë edhe në dyert e Drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi sot nisjen e hetimeve për tre cështje. Në ndjekje penale do të jetë ish drejtori i burgjeve Shkëlqim Meta, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i KPD të partisë socialiste. Ai u emërua në këtë post nga kryeministri, pas rizgjedhjes së këtij të fundit në shtator dhe u shkarkua po nga kreu i qeverisë për shpërdorim detyre.

Hetime do të zhvillohen edhe ndaj ministrisë së Financave, për moskrijimin e strukturës së policisë gjyqësore. Një strukturë e cila duhet të kishte nisur funksionimin që në mesin e vitit të kaluar, por që në të vërtetë u ngrit vetëm në fund të vitit të shkuar. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi edhe hapjen e cështjes penale për tenderat e zhvilluar për blerjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2001. Kritika dhe akuza të shumta për këto probleme janë bërë nga kryetari i partisë socialiste Fatos Nano dhe jo më larg se dje gjatë një takimi në Korcë i kërkoi publikisht prokurorisë të niste hetimet. Edhe sot zoti Nano kritkoi ashpër qeverinë për krizën energjitike në vend. Ai tha se janë bërë vetëm premtime të përsëritura dhe se askush nuk mban përgjegjësi duke iu referuar edhe deklaratës së Ministrit të Shtetit për energjinë se nuk kishte pse të jepte dorëheqjen Nga ana e saj për problemin e energjisë dhe krizës së rëndë që po kalon vendi, edhe opozita ka fajësuar qeverinë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Ilir Meta.

Në të vërtetë Shqipëria po përjeton momentet më kritike dhe në të gjithë vendin kufizimet janë shtuar ndjeshëm duke i kaluar 10 orët në ditë pa drita. Industrisë i është kërkuar kufizimi apo dhe pezullimi i prodhimit, ndërsa importet mbeten të reduktuara. Nënstacioni i Elbasanit i premtuar me bujë se do të krijonte mundësinë e dyfishimit të importeve brenda vitit që shkoi nuk mund të vihet ende në funksionim pasi nevojiten punime shtesë. Kapriciot e motit vazhdojnë të cilësohen si të vetmit fajtor të gjendjes gati katastrofike, megjithëse shqiptarët janë furnizuar me kufizime gjatë gjithë vitit. Të vetmet ditë të lumtura që mbahen mend prej tyre janë ditët e mbledhjes së komitetit të përgjithshëm të partisë socialiste dhe për festat e fundvitit. Ndërsa këto ditë qytetet e tjera të vendit furnizohen me më shumë energji kur në to bën vizita apo kanë takime drejtuesit e lartë të shtetit dhe të partisë socialiste.

XS
SM
MD
LG