Lidhje

Shqipëria fillon importin e energjisë nga Mali i Zi - 2002-01-21


Shqipëria filloi sot importimin e energjisë përmes Malit të Zi

Në kulmin e krizës së saj energjitike, Shqipëria aktivizoi sot një linjë të dytë të importimit të energjisë, atë nga Podgorica e Malit të Zi për në hidrocentralin e saj të Vaut të Dejës. Kështu, është rritur aftësia e tërheqjes së energjisë elektrike nga vendet e tjera të Ballkanit, një problem ky, i cili deri dje, kishte kufizuar ndjeshëm blerjet e energjisë, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në thellimin e krizës energjitike në vend.

Drejtori i rajonit energjitik të Shkodrës, Myzafer Lezha tha sot se fillimi i importimit të energjisë përmes Malit të Zi, po shoqërohet edhe me ndryshimin e skemës së shpërndarjes së energjisë elektrike për zonën veriore të vendit:

“Nje zbare 220 kv së bashku me linjën e eksportit që lidh Podgoricën me Vaun e Dejës dhe 2 autotransformatorë që furnizojnë Shkodrën, Malësinë e Madhe dhe Lezhën janë shkëputur nga sistemi energjitik shqiptar dhe punojnë duke u furnizuar me energji elektrike nga Mali i Zi. Që mbrëmë, në orën 00.10 minuta është dhënë urdhëri nga KESH për heqjen e kufizimeve. Dhe ky rajon, që i perket filialit tonë energjitik dhe përfshin rrethet Shkodër, Malësi e Madhe dhe Lezhë, nuk ka kufizim të energjisë elektrike,” thotë zoti Myzafer Lezha. Zoti Lezha tha se kufizimet do të bëhen vetëm për të ruajtur aparaturat e transmetimit, kur ngarkesat arrijnë pikun e tyre.

Ndryshimi i papritur i situatës së furnizimit me energji elektrike, ka befasuar pjesën më të madhe të popullatës, që po e lidh këtë me paralajmërimet e sindikatave për protesta, madje edhe me takimin e Brukselit.

Por heqja e kufizimeve nuk ka ndryshuar asngjë për disa qindra familje të Shkodrës, të cilat prej më shumë se një muaji kanë mbetur në erresirë, për shkak të difekteve në rrjetin e brendshëm të shpërndarjes. Specialistët e filialit elektrik e justifikojnë këtë me mungesën e kabllove dhe gjendjen e rënduar financiare të ndërmarrjes. Por, në shumë raste, janë vetë punonjësit e elektrikut, që për qëllime përfitimi, zvarrisin ndreqjen e difekteve, ose i krijojnë me qëllim ato.

XS
SM
MD
LG