Lidhje

Rumsfeld:sulme më vdekjeprurëse se ato të 11 shtatorit(1 shkurt) - 2002-02-01


Sekretari amerikan i Mbrojtjres, Donald Rumsfeld, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ruhen vazhdimisht nga sulme terroriste shumë më vdekjeprurëse se ato të 11 shtatorit.

Në një fjalim të rëndësishëm që mbajti dje në Universitetin National Defense në Washington, sekretari Rumsfeld paralajmëroi se armiq të ri mund të sulmojnë në mënyra të papritura me armë gjithnjë e më të fuqishme dhe me rreze veprimi gjithnjë e më të madhe.

Zyrtarë amerikanë thonë se dokumente të gjetura kohët e fundit në Afganistan lënë të kuptohet se anëtarë të rrjetit al-Kaida të Osama bin Ladenit kanë planifikuar të sulmojnë objekte bërthamore amerikane, mundësisht në shtetin veriperëndimor të Washingtonit.

Zyrtarët thonë se mes këtyre dokumenteve përfshihen diagrame të centraleve elektrike amerikane që punojnë me energji bërthamore dhe fotografi të kullës së ashtuquajtur Space Needle, në qytetin Seatle të shtetit Washington.

Në fillim të janarit, Komisioni Bërthamor i paralajmëroi të gjitha centralet elektrike që punojnë me energji bërthamore. Mirëpo, zyrtarë federalë dhe guvernatpsri i shtetit Washington thonë se nuk ekziston ndonjë kërcënim bindës për ndonjë sulm në të ardhmen.

Sekretari i Mbrojtjes tha se kërcënimet e reja kërkojnë mënyra të reja të menduari dhe shpenzime të reja për armë të teknologjisë së lartë. Zoti Rumsfeld theksoi se lufta në Afganistan ka demonstruar efektshmërinë e armëve të tilla si Predatori, një avion pa ekuipazh që jep pamje të drejtpërdrejta televizive të fushës së betejës.

Presidenti Bush ka propozuar një rritje prej 48 miliard dollarësh në buxhetin e tij të mbrojtjes për vitin 2 mijë e 3, rritja më e madhe në shpenzimet ushtarake në 20 vjetët e fundit.

XS
SM
MD
LG