Lidhje

Rrihen nxënësit shqiptarë në Shkup (1 shkurt) - 2002-02-01


Incidentet që e kanë përcjellur shkollën e vetme të mesme në gjuhën shqipe në Shkup "Zef Lush Marku" për disa vitet e fundit kanë kulminuar mbrëmë kur disa nxënës shqiptarë janë rrahur me shufra hekuri e gome dhe me mjete të ndryshme nga 20 persona të rritur. Dëshmitarë në radhët e vetë nxënësve shqiptarë thonë se sulmuesit ishin maqedonas.

Dy të rinj shqiptarë e kanë pësuar nga sulmet: Ramadan Ismaili dhe Jetmir Jakupi, 15-16 vjeç, kanë nga katër dhe më tepër penjë të qepur në kokë. Ata janë trajtuar në spitalin ushtarak që ndodhet afër gjimnazit dhe afër vendit ku ka ndodhur incidenti.

Drejtori i kësaj shkolle Xhemaludin Idrizi thotë se për këtë akt janë përgjegjës policët e stacionit 'Karposh' të Shkupit se në vendin e njejte para dy vitesh dhe para një viti kanë ndodhur incidente të këtilla:

Xhemaludin Idrizi:

"Duke pasur parasysh këtë rast dhe shumë raste të tjera, nxënësit e Gjimnazit Zef Lush Marku janë të rrezikuar fizikisht. Për këtë do të njoftohen të gjitha organizatat ndërkombëtare në vend."

Drejtori Idrizi paralajmëron bojkotin e procesit të mësimit nëse nuk ndriçohet rasti. Ai i ka shprehur në fillim të vitit shkollor shqetësimet e tij shefit të misionit të Monitoringut Evropian për rrezikun e incidenteve ndëretnike në këtë pjesë të Shkupit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendëshme Vasko Shutarov thotë se policia ka zbuluar autorët dhe se do të merren masa ndëshkimi kundër tyre, por ai i hedh poshtë akuzat e drejtorit Idrizi që thotë se policia ka keqtrajtuar një ditë përpara nxënës të gjimnazit Zef Lush Marku.

XS
SM
MD
LG