Lidhje

Bush dënon vrasjen e gazetarit Pearl (22 shkurt) - 2002-02-22


Presidenti Bush dënoi vrasjen e gazetarit të rrëmbyer të gazetës Wall Street Journal, Daniel Pearl, duke e quajtur atë një akt barbar që ka trishtuar dhe zemëruar tërë amerikanët. Në një fjalim të tijin sot në Pekin, mbasi mësoi për vdekjen e zotit Pearl, presidenti Bush tha se me zemër ndodhet pranë familjes Pearl.

Presidenti Bush tha se të gjithë amerikanët janë të trishtuar për bashkëshorten e zotit Pearl dhe prindërit e tij të cilët me javë jetuan me shpresën se gazetari i Wall Street Journal do gjendej i gjallë.

”Veçanërisht jemi të hidhëruar për fëmijën e palindur, i cili tani do e njoh babanë e tij vetëm nëpërmjet kujtimeve të të tjerëve, tha presidenti Bush.”

Në fjalën e tij para gazetarëve në përfundim të vizitës së tij në Azi, presidenti tha se gazetarët amerikanë, punonjësit e ndihmave humanitare, diplomatët dhe të tjerë bëjnë atë që ai e quajti ”një punë të rëndësishme në vende që ndonjëherë janë të rrezikshme.”

Ai tha se ata që do të kërcënojnë amerikanët dhe do të përfshihen në ato që ai i quajti ”akte kriminale dhe barbare” duhet ta dinë se këto krime veçse dëmtojnë kauzën e tyre. Presidenti Bush tha se vrasja ka rritur vendosmërinë e Amerikës të gjejë ata që janë përgjegjës për vdekjen e zotit Pearl dhe të spastrojë botën nga këta ”agjentë të terrorit.” Në një deklaratë të tijën, sekretari i përgjithshëm i OKBsë, Kofi Annan, tha se ai gjithashtu është i trishtuar nga kjo ngjarje. Ai tha se përshëndet kurajon e zotit Pearl dhe se gazetarët kanë të drejtë të punojnë pa patur frikë për jetën e tyre. Zoti Pearl u rrëmbye më 23 janar në Karachi, të Pakistanit, nga ekstremistë islamikë. Departamenti amerikan i shtetit njoftoi dje vonë se ambasada amerikanë në Pakistan ka marrë prova se zoti Pearl ka vdekur. Gjithashtu u tha se Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani janë të vendosura në gjetjen e vrasësve të zotit Pearl dhe në sjelljen e tyre para drejtësisë. Gazeta Wall Street Journal tha se lajmi e ka hidhëruar pa masë. Prindërit e zotit Pearl dhe motrat e tij bënë një deklaratë nga shtëpia e tyre në Los Angelos, dhe thanë se mbaheshin me shpresën se asnjë qënie njerëzore nuk do të mund ti bënte keq një njeriu të tillë kaq të butë. Rrëmbyesit e zotit Pearl i nisën mesazhe elektronike gazetës Wall Street Journal në të cilat akuzonin zotin Pearl si spiun të CIAs. Si gazeta ashtu dhe CIA i mohuan kategorikisht këto akuza duke thënë se ai ishte thjesht një gazetar. Deri para një jave zyrtarë amerikanë shpresonin që zoti Pearl të ishte ende gjallë, mbas deklaratave kontradiktore të dhëna nga një rrëmbyesit e dyshuar që ishte arrestuar nga policia pakistaneze. I dyshuari kishte pranuar se ishte takuar me të dyshuarin kryesor të rrëmbimit, Ahmed Saeed Sheikh.

XS
SM
MD
LG