Lidhje

Kalendari Historik 26 shkurt - 2002-03-01


Më 26 shkurt 1919, Kongresi vendosi që formacioni natyror Kanionet e Mëdha të bëhej park kombëtar. Kjo grykë natyrore mjaft e thellë dhe e gjatë në shkretëtirën Kaibab në veri perëndim të shtetit Arizona ishte krijuar nga gryerjet e rrjedhës së lumit Kolorado gjatë një periudhe prej 10 milionë vjetësh. Kanioni është i thellë rreth 1 mijë e 700 metra dhe në të dy faqet e tij mund të shihen shtresa shumë ngjyrëshe shkëmbore. Kanioni gjigand është i gjërë nga 7 deri në 29 kilometra dhe i gjatë rreth 350 kilometra. Kompozitori amerikan Ferde Grofe e cilësoi Kanionin si një melodi të ngurtësuar dhe u përpoq ta përshkruante këtë ndjenjë në kompozimin e tij Grand Canyon Suite. Por ata që e kanë vizituar këtë park kombëtar thonë se bukuria e kësaj panorame, veçanërisht në mëngjes kur lind dielli, është vështirë të përshkruhet qoftë me muzikë, fotografi apo fjalë.

Më 26 shkurt 1993, një kamion bombë shpërtheu në vend-parkimin e nëndheshëm të qëndrës botërore të tregtisë në New York. Kjo qëndër përbëhej nga dy ndërtesa 110 katëshe, të cilat ishin më të lartat në New York, para se të rrëzoheshin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën mbi 3 mijë njerëz. Shpërthimi i 26 shkurtit shkaktoi rrëzimin e disa mureve të brendëshme, por nuk i dëmtoi themelet kryesore të ndërtesave. Si pasojë 6 vetë u vranë dhe disa qindra të tjerë u plagosën. Pas sulmit, autoritetet evakuan rreth 50 mijë njerëz. Autoritetet e New Yorkut dhe të Byrosë federale të hetimeve filluan menjëherë nga puna për gjetjen e autorëve të shpërthimit. Më vonë u bë e qartë se ashtu si edhe në ngjarjet e 11 shtatorit, shpërthimi i 26 shkurtit 1993 në qëndrën botërore të tregtisë ishte pjesë e një komploti nga një grup terroristësh fondamentalistë islamikë.

XS
SM
MD
LG