Lidhje

Kalendari Historik 28 shkurt - 2002-03-01


Më 28 shkurt 1854, në Ripon të shtetit Wisconsin, u krijua Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë politika amerikane ishte në një gjendje të turbullt për shkak të problemit të skllavërisë. Skllavëria ishte një çështje e nxehtë kur përfaqësues të partive lokale u mblodhën në qytetin e vogël Ripon. Abolicionistët, demokratët dhe vigët(liberalët veriorë), që merrnin pjesë në takim, kishin shumë divergjenca politike. Megjithatë ata ishin të bashkuar në kundërshtimin e tyre të paepur ndaj skllavërisë dhe ndaj shtrirjes së skllavërisë edhe në territoret e reja perëndimore. Pjesëmarrësit në takimin e Riponit ranë dakord të krijojnë një reshtim të ri politik dhe zgjodhën emrin republikanë për të identifikuar parimet e tyre dhe Partinë e tyre të re. Kandidati i tyre i parë kombëtar i suksesshëm ishte Abraham Linkolni, i cili u zgjodh president në vitin 1860.

Më 28 shkurt 1963 presidenti Xhon Kenedi, i dërgoi Kongresit një mesazh të posaçëm për të drejtat civile. Ai thoshte se e kishte dërguar mesazhin me rastin e mbushjes së një shekulli, që nga koha kur presidenti Abraham Linkoln, kishte shpallur Proklamatën e Emancipimit. Ky dokument i vitit 1863, i hartuar gjatë Luftës Civile Amerikane, i shpallte të lirë skllevërit zezakë të shteteve të jugut që ishin pushtuar nga forcat e Unionit. Mesazhi me shkrim i presidentit Kenedi në vitin 1963 bënte thirrje që ligjet federale të luftonin diskriminim racial në Amerikë. Këtu përfshiheshin ligjet që do t’u garantonin zezakëve të drejtën e votës. Mesazhi propozonte masa në fushën e arsimit e të punësimit. Po ashtu presidenti u kërkonte shteteve që të ratifikonin me shpejtësi një amendament kushtetues, për të hequr taksën e votimit. Në disa shtete të jugut taksa e votimit përdorej për të penguar pjesëmarrjen në votime të zezakëve me të ardhura të ulta. Presidenti Kenedi u vra më 22 nëntor 1963, më pak se një vit nga dita kur ai i dërgoi Kongresit mesazhin e tij. Por dy muaj pas vdekjes së tij, amendamenti për heqjen e taksës së votimit u ratifikua dhe u bë pjesë e kushtetutës. Me kërkesë të pasardhësit të Kenedit, Lyndon Johnson, Kongresi amerikan miratoi ligje të zgjeruara për të drejtat civile, gjatë disa votimeve nga mesi i viteve ’60.

XS
SM
MD
LG