Lidhje

Në Indi rreth 300 të vrarë (2 mars) - 2002-03-02


Rreth 300 veta kanë humbur jetën në valën tri ditëshe të dhunës midis hinduve dhe myslimanëve në shtetin indian të Guxharatit.

Incidenti i fundit ndodhi dje në rrethin Pançmahal të Guxharatit, ku 30 veta u vranë kur sulmuesit hindu i vunë zjarrin fshatit mysliman Pandarvada. Të paktën edhe dhjetë persona të tjerë u vranë në përleshjet jo larg këtij fshati.

Po dje, një turmë hindush i vuri zjarrin një lagjeje myslimane në periferi të qytetit më të madh të Guixharatit, Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 50 personave që ishin në gjumë.

Përleshjet shpërthyen ditën e merkurë në qytetin Godra, kur ekstremistë myslimanë i vunë zjarrin një treni, duke shkaktuar vdekjen e 58 vetave, shumica veprimtarë hindu.

Në Guxharat vazhdon dislokimi i forcave ushtarake në përpjekje për të ndaluar dhunën. Kryeministri Atal Vaxhpaji të u bëri thirrje hinduve dhe myslimanëve për përmbajtje e qetësi dhe u zotua të marrë masa kundër personava që shkaktojnë trazira. Më shumë se një mijë e 300 persona janë arrestuar që kur shpërtheu dhuna ditën e merkurë.

Ndërkohë, autoritetet indiane e kanë ndaluar trafikun hekurudhor për në Ayodya dhe qytetin fqinj Faizabad, për të parandaluar ndërtimin nga ana e veprimtarëve hindu të një tempulli në një zonë ndaj së cilës kanë pretendime edhe myslimanët. Këshilli Botëror Hindu njoftoi se vullnetarët e tij hundu do të fillojnë ndërtimin e tempullit më 15 mars, në qoftë se qeveria nuk e lejon atë të ndërtojë dy kulla të shenjta në afërsi të zonës në fjalë.

XS
SM
MD
LG