Lidhje

Sulm i ri ushtarak në Afganistan (2 mars) - 2002-03-02


Një sulm i ri ushtarak ka nisur kundër luftëtarëve të mbetur Talebanë dhe të al-Qaida-s në Afganistan.

Forca amerikane dhe afgane po përpiqen të nxjerrin nga vendstrehimet e tyre malore në provincën e Paktias, luftëtarët Talebanë dhe të al-Qaida-s që ende nuk janë dorëzuar.

Zyrtarë vendorë thonë se një forcë me rreth 600 luftëtarë afganë, e shoqëruar nga rreth 50 trupa të forcave të posaçme amerikane, shkoi sot në malet Shah-e-Kot, 40 kilometra në jug të kryeqytetit të provincës, Gardez. Zyrtarët lokalë thonë se bombardimi i dendur ajror amerikan në atë zonë filloi dje dhe vazhdoi edhe sot.

Sipas njoftimeve, luftëtarët Talebanë dhe të al-Qaida-s po përgjigjen me mortaja, raketa dhe armë të tjera të rënda.

Po sipas njoftimeve, këta luftëtarë fshihen me gjithë familjet e tyre në rajonin e ashpër, 150 kilometra në jug të Kabulit.

Një zyrtar ushtarak amerikan në Kandahar nuk pranoi të bënte komente, por vetëm pranoi se në Afganistanin Lindor po kryhen operacione.

Ndërkohë, Pakistani tha se po bllokon një pjesë të kufirit të tij me Afganistanin, për të mos lejuar forcat Talebane dhe të al-Qaida-s që të arratisen.

XS
SM
MD
LG