Lidhje

Tiranë - Opozita: debat në parlament për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm (6 mars) - 2002-03-06


Nisma e opozitës për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi, provokoi tensione të reja në jetën politike të Tiranës, ndërsa grupimet brenda Partisë Socialiste shënuan edhe një ndarje të re mes tyre me goditjen apo mbrojtjen e tij.

Parlamenti pritet të vendosë nesër për datën e një debati parlamentar rreth kësaj cështjeje, por t majtët dhe opozita shpjegojnë në mënyra të ndryshme rregullat e shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Zyrtarë të administratës së Parlamentit shpjegojnë se në rregulloren e parlamentit nuk ka procedura të qarta për të realizuar një shkarkim të tillë. Juristë të administratës përmendin si të vetmin precedent në këtë debat, mocionin një vit më parë ndaj Kryeprokurorit, kur për shkak të mungesës së procedurave, dy komisione parlamentare shqyrtuan bashkarisht cështjen. Sipas tyre, e njëjta rrugë duhej ndjekur edhe këtë rradhë, kur mosbesimi ndaj Prokurorit të Përgjithshëm u rikthye sërish si cështje dite.

Socialistët janë ende të dyzuar për qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj prokurorit të përgjithshëm. Një pjesë e tyre ndihen të kërcënuar prej tij nga disa hetime të nisura nga prokuroria rreth abuzimeve me fondet e energjitikës në krizës energjitike dhe dosje të tjera, dhe të nxitur nga ky rrezik ata janë të prirur që të votojnë pro shkarkimit të zotit Rakipi nga detyra. Ish-ministri i energjitikës, Dritan Prifti, u mbrojt ndaj akuzave për abuzime me fondet e energjisë, duke e quajtur nisjen e hetimeve ndaj tij si sulm politik që prokurori Rakipi kishte nisur me nxitjen e një grupimi tjetër brenda Partisë Socialiste.

Ndërkaq një grup i politikanëve socialistë të frymëzuar nga kryetari i PS-së, Fatos Nano duket më shumë interesuar për të mbrojtur zotin Rakipi, dhe për ta shtyrë atë t’i thellojë hetimet mbi abuzimet financiare të socialistëve ish-ministra.

Por votat e grupit të Nanos janë të vetmet në favor të zotit Rakipi. Analistët mendojnë se votave të opozitës për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm do t’u bashkohen me lehtësi edhe disa dhjetëra vota të deputetëve socialistë.

Opozita e ka akuzuar zotin Rakipi për paaftësi, mosveprime dhe politizim të institucionit që ai drejton. Debatet pro e kundër Prokurorit të Përgjithshëm, shpërthyen në valën e mosmarrëveshjeve të thella brenda udhëheqjes së Partisë Socialiste figura kryesore të të cilëve po shkëmbejnë akuza të rënda për trafiqe korrupsion kontrabandë, abuzime me pushtetin dhe pastrim parash.

XS
SM
MD
LG