Lidhje

Në Maqedoni filloi zyrtarisht zbatimi i ligjit për amnisti (11 mars) - 2002-03-11


Sot nisi lirimi nga burgjet i shqiptarëve që mbaheshin aty në lidhje me vepra penale të kryera në lidhje me kryengritjen e vitit të kaluar, ndërkohë që deri sonte në mesnatë, duhet të lirohen të gjithë të burgosurit që mbahen në burgje në lidhje me konfliktin. Po kështu, që nga dita e sotme mbyllen procedurat ligjore për veprime të kryera në lidhje me këtë konflikt dhe aministohen përfundimiht të gjithë ata që morën pjesë, organizuan, apo drejtuan kryengritjen.

Nga aministia përjashtohen vetëm ato cështje penale dhe ata persona, që janë në ndjekje të Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në vendet e ish-Jugosllavisë. Për rastin e konfliktit në Maqedoni, nuk ka ende nformacione zyrtare në lidhje me hetimet e tribunalit, as emra të caktuar personash, përvec njoftimeve të vetë tribunalit për hetimet për dy raste të vecanta. Në Maqedoni ka pasur informacione të pakonfirmuara zyrtarisht se kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, mund të vizitojë përsëri Maqedoninë, në fund të këtij muaji.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, ministri i brendshëm maqedonas Lube Boshkovski, urdhëroi sot heqjen e ndalim-qarkullimit në Tetovë, i cili ishte në fuqi që nga viti i kaluar kur nisi konflikti në vend. Burimet zyrtare thanë se zoti Boshkovski e mori këtë vendim pas stabilizimit të gjendjes së sigurisë në Tetovë. Ndalim-qarkullimi në këtë qytet, qendra më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni ishte në fuqi që nga ora 11 e mbrëmjes deri në orën 5 të mëngjesit. Sipas ministrisë së brendshme, rregulli dhe ligji në Tetovë nuk po shkelen në masë, kështu që nuk ka arsye që të vazhdojë ndalim-qarkullimi.

Ndërkohë nesër në Bruksel, fillon konferenca e vende dhuruese për Maqedoninë, në të cilën, ky vend shpreson të marrë mbi 250 milionë euro për mbulimin e deficitit të saj buxhetor, rindërtimin e zonave të prekura nga konflikti dhe zbatimin e marrëveshjes së paqes për vitet e para.

XS
SM
MD
LG